Ndërtimi i autostradës vazhdon me intensitetin e planifikuar
Prishtinë, 17 nëntor - Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në kuadër të diskutimeve për miratimin e Buxhetit të Kosovës për vitin 2012, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i është përgjigjur ideve të disa grupeve parlamentare për ndërprerjen apo ngadalësimin e punimeve në ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdarë.
Dëshiroj të theksoj se nuk do të ndodh asnjëra e as tjetra, nuk do të ndodh as ndërprerja, e as ngadalësimi i punëve, me arsyetimin tuaj se me ndërtimin e autostradës nuk ka zhvillim, dhe me pretendimin tjetër se duhet të shpërndahen mjetet në drejtime tjera ndërtuese dhe zhvilluese theksoi kryeministri Thaçi.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka menduar, mendon dhe është e vendosur në respektimin dhe implementimin e vendimeve të veta, që janë në shërbim dhe interesin, por edhe vullnetin e të gjithë qytetarëve të vendit. Ne besojmë fuqishëm se autostrada është shpresë, optimizëm, besim, zhvillim, humanizim i natyrës, por edhe emancipim i shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, është projekti i munguar i qytetarëve tanë tha Thaçi.
Duke shprehur besimin se vazhdimi me intensitetin e planifikuar të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdarë është zhvillim, kryeministri Hashim Thaçi ka theksuar se vetëm me ndërtimin e autostradave dhe implementimin e projekteve të tilla moderne Republika e Kosovës do të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.
Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosoëvs, Kryeministri Hashim Thaçi ka ritheksuar përkushtimin dhe vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës edhe për fillimin e punës në ndërtimin e autostradës tjetër, asaj Prishtinë-Han i Elezit.
Ne jemi në fazën finale të shqyrtimit të të gjitha modeleve për financimin e autostradës tjetër, Prishtinë-Ferizaj- Kaçanik Han i Elezit, prandaj do të vazhdojmë me intensitetin e planifikuar të ndërtimit të autostradës Vërmicë-Prizren-Suharekë në drejtim të Orllatit-Prishtinë dhe Merdarit u shpreh kryeministri Thaçi dhe shtoi se se nëse dikush mendon se nuk ka zhvillim me ndërtimin e autostradave, unë e potencoj se edhe me logjikën e shtigjeve të dhive nuk ka zhvillim Republika e Kosovës.