Ndërprerja e energjisë elektrike paralizon aeroportin e Hamburgut
Hamburg, 4 qershor - Një ndërprerje e energjisë elektrike ka paralizuar aeroportin e Hamburgut në Gjermani, duke bllokuar qindra pasagjerë.
Nga kjo ndërprerje janë prekur funksionimi i pistave të nisjes, transportuesit e bagazheve dhe dyqanet.
Një zëdhënës i aeroportit tha se ndërprerja e energjisë elektrike besohet të jetë shkaktuar nga një qark i shkurtër i rrymës elektrike. Ai shtoi se nevojitet pak kohë derisa gjithçka t'i rikthehet normalitetit.
Pasagjerët u evakuuan jashtë ndërtesës së aeroportit, pasi një tjetër problem ishte mosfunksionimi i ajrit të kondicionuar.
Kjo ngjarje ka shkaktuar pakënaqësi tek udhëtarët.
"Pak të inatosur, po. Kemi folur edhe me disa pasagjerë të tjerë, të cilët ndodhen këtu që nga ora 9 e mëngjesit dhe kanë vazhduar të qëndrojnë këtu edhe pas shkëputjes së energjisë elektrike dhe askush nuk u ka thënë se çfarë ka ndodhur. Pra, sigurisht që jemi të irrituar, ne thjesht dëshirojmë të shkojmë për pushime ", u shpreh një pasagjer.
Ndërkohë, të gjitha fluturimet janë pezulluar dhe aeroporti mbetet i mbyllur.