NATO përshendet marrëveshjen për fluturimet midis Beogradit dhe Prishtinës
Bruksel, 20 janar - Përmes një deklarate për media, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolenberg ka përshendetur marrëveshjen për fluturimet direkte midis Beogradit dhe Prishtinës.
"Bazuar në letrat e synimeve të nënshkruara sot në Berlin, e mirëpres qëllimin e Eurowings dhe Grupit Lufthansa për të vendosur fluturime të drejtpërdrejta midis Beogradit dhe Prishtinës", ka thënë Stolengerg.
Ky sipas tij është një hap i rëndësishëm, i cili do ta bëjë qarkullimin e njerëzve dhe mallrave më të lehtë dhe të shpejtë brenda rajonit të Ballkanit Perëndimor.
"Sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, komandanti i misionit tonë të KFOR-it e ka autoritetin e hapësirës ajrore mbi Kosovë dhe NATO do të mbetet i përfshirë përmes procesit afatgjatë të Takimit të Normalizimit të Aviacionit në Ballkan, të cilin e udhëheqim ne", ka thënë në fund Stolenberg.