MZHE kërkon nga PTK t'i kthej bonuset
Prishtinë, 24 dhjetor - Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) kërkon nga Bordi i Drejtorëve të Postë-Telekomit të Kosovës (PKT), i cili udhëhiqet nga Rexhë Gjonbalaj, që ti kthejë bonuset e ndara për punëtorët e kompanisë publike në vlerë prej 1 milion euro.
Komisioni i Ministrave për Ndërmarrje Publike, të enjten e kaluar, ka vendosur ta anulojë vendimin e Bordit të PTK për ndarjen e bonuseve për punëtorët e Valës dhe Telekomit, duke i diskriminuar ata të Postës, me arsyetimin se nuk ka pasur bazë ligjore për ndarjen e bonuseve, përderisa performanca e kompanisë nuk është vërtetuar nga Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit (ART) dhe pasqyrat financiare nuk janë audituar nga Auditori i Jashtëm.
Gëzim Baxhaku, këshilltar i ministrit Besim Beqaj, thotë për Zërin se vendimi i Komisionit të Ministrave është i qartë, i cili e anulon vendimin e Bordit të PTK-së për dhënie të bonuseve.
Ne nuk merremi me punëtorët se si duhet ti kthejnë bonuset që i kanë marrë. Ne kërkojmë nga Bordi i PTK-së që ta zbatojë vendimin e Komisionit të Ministrave për Ndërmarrjet Publike, potencon Baxhaku.
Nga anën tjetër, Ibrahim Rexhepi nga Organizata Joqeveritare Stras , thotë se nëse ka pasur shkelje ligjore me rastin e ndarjes së bonuseve për punëtorët e Valës dhe PTK-së, atëherë, sipas tij, nuk mjafton vetëm kërkesa për kthimin e mjeteve.
Nëse ka pasur shkelje ligjore, atëherë nuk mjafton vetëm kërkesa për kthimin e bonuseve, mirëpo duhet të merren edhe masa ligjore ndaj atyre që vendosën për ndarje të mjeteve, thekson Rexhepi, duke shtuar se parimisht nuk është kundër bonuseve për punëtorët e kompanisë publike, e cila punon me fitim, si një forme e stimulimit të punëtorëve.
Ejup Qerimi kërkoi bonuse
Zyrtarët e PTK-së kanë bërë të ditur se vendimi për ndarjen e bonuseve është
marrë në mbledhjen e fundit të Bordit të Drejtorëve të PTK-së dhe, sipas tyre, është konform ligjeve në fuqi, rregulloreve të brendshme, marrëveshjeve dhe para së gjithash si rezultat i performancës pozitive financiare të PTK-së gjatë këtij viti, ku kompania ka pasur rreth 11 për qind neto profit më të lartë se viti i kaluar.
Sipas tyre, kryeshefi ekzekutiv i kompanisë, Ejup Qerimi, e ka bërë vetëm ekzekutimin e pagesës së bonusit në bazë të vendimit të Bordit.
Mirëpo, burimet e gazetës Zëri bëjnë të ditur të kundërtën e asaj që deklarojnë zyrtarisht drejtuesit e PTK-së.
Sipas tyre, vendimi i Bordit për ndarje të bonuseve për punëtorët e Valës dhe Telekomit është bazuar në kërkesën e kryeshefit ekzekutiv, Ejup Qerimi, drejtuar Bordit të Drejtorëve.
Komisioni Ministror e ka anuluar vendimin e Bordit të Drejtorëve të PTK-së të datës 17 dhjetor 2012, të cilit kryeshefi i PTK-së, Ejup Qerimi, i kishte kërkuar ndarje të bonuseve për punëtorët e Valës dhe Telekomit dhe duke i diskriminuar ata të Postës, sqaron burimi i Zëri-t, duke shtuar se Ejup Qerimi së fundi i ka marrë rreth 5000 euro në emër të bonuseve.
Gazeta Zëri disa herë ka provuar ta kontaktoj gjatë ditës së diel kryetarin e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj, mirëpo ai nuk është përgjigjur fare në telefonin e tij zyrtar.
Ndërsa Gazmend Isufi nga Sindikata Profesionale e Postës së Kosovës ka thënë për Zërin se menaxhmenti dhe Bordi i PTK-së kanë bërë diskriminimin e rreth 1000 punëtorëve të Postës, pasi që, sipas tij, bonusi është ndarë për 6 mujorin e parë të këtij viti, ndërsa punëtorët e Postës deri në muajin e tetë të këtij viti kanë qenë punëtorë të PTK-së.
Ai kërkon nga kryeshefi i PTK-së, Ejup Qerimi dhe Bordi që bonuse ti ndajnë edhe punëtorëve të Postës, në të kundërtën, siç thotë ai, do të ketë revoltim të punëtorëve.
Bonuse dhe punësime të familjarëve
Bordi i PTK-së përpos pagave nga buxheti i Kosovës në vazhdimësi kanë marrë bonuse të majme nga Postë Telekomi i Kosovës.
Në vitin 2010, PTK kishte paguar rreth 200 mijë euro bonuse dhe pagat për anëtarët e Bordit, mbi 190 mijë euro në vitin 2009, rreth 110 mijë euro në vitin 2008.
Në vitin 2011, sipas deklarimeve të pasurisë në Agjencinë Kosovare Kundër Korrupsionit, Bord kishte marrë mbi 202 mijë në emër të pagës dhe bonuseve.
Për katër vjet, përkatësisht nga viti 2008-2011, anëtarët e Bordit të Drejtorëve të PTK-së, në emër të pagave dhe bonuseve kanë marrë mbi 700 mijë euro.
Përpos pagave dhe bonuseve, anëtarët e Bordit të PTK-së gjatë mandatit të tyre në këtë ndërmarrje e kanë shfrytëzuar rastin ti punësojnë familjarët e tyre.
Kështu anëtarja e Bordit të PTK-së, Elmaze Pireva, e ka punësuar vëllanë në këtë kompani publike, anëtari tjetër i Bordit, Nuhi Ahmeti, e ka punësuar bashkëshorten, Sahit Surdulli, djalin. Edhe Qamil Buzhala, anëtar Bordi, e ka të punësuar djalin në PTK.
Mbi 700 mijë euro paga dhe bonuse për Bordin e PTK-së
2011= 202 mijë euro
2010=200 mijë euro
2009=190 mijë euro
2008=110 mijë euro
/Zeri/