06 Janar 2025

Mustafa: Qeveria e përkushtuar në shtimin e vlerës së telekomit

Prishtinë, 4 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa ka vizituar Postën dhe Telekomin e Kosovës, ku u prit nga drejtori ekzekutiv i Telekomit, Agron Mustafa dhe bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa u njoftua me punën dhe të arriturat e Telekomit të Kosovës, por edhe me sfidat që e presin këtë kompani në zhvillimin dhe ruajtjen e rolit dhe pozitës në treg.

Kryeministri Mustafa i shoqëruar edhe nga ministrat Blerand Stavileci  dhe Avdullah Hoti, kanë vizituar edhe ambientet e monitorimit teknik dhe operativ të VALA-s.

“Kisha kënaqësinë ta kemi një bisedë shumë përmbajtjesore lidhur me perspektivën e zhvillimit të Telekomit në Kosovë dhe lidhur me detyrat tona të përbashkëta që duhet t’i kryejmë që Telekomi të jetë kompani lidere në këtë fushë, në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, por edhe të zë një hapësirë të merituar në Bashkimin Evropian”, tha kryeministri.

Më tej, kryeministri Mustafa tha se do të punohet edhe me institucionet financiare ndërkombëtare, por edhe me menaxhmentin e Telekomit, për realizimin e objektivave të përbashkëta, e që kanë të bëjnë me shtimin e vlerës së kësaj kompanie.

“Jemi të interesuar që të shohim mundësitë më të mira të investimeve, në mënyrë që ta shohim vlerën e Telekomit, që vlera të shtohet në treg, qoftë përmes investimeve në kuadër, qoftë përmes investimeve në teknologji ose në infrastrukturë. Do të punojmë edhe me institucionet financiare ndërkombëtare, në rend të parë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, të shohim mundësitë e kyçjes së Bankës Evropiane në projekte të rëndësishme për të cilat edhe ata kanë shfaqur interesimin e tyre. Po ashtu, do të jemi në kontakte të përhershme, përmes edhe sistemit të qeverisjes koorporative të cilin ne e kemi ndërtuar në Kosovë, me Bordin dhe me menaxhmentin e Telekomit, në mënyrë që punët e mëtutjeshme t’i realizojmë si objektiva të përbashkëta që kanë të bëjnë me shtimin e vlerës së kësaj kompanie dhe që kanë të bëjnë me mbajtjen e pozitës së liderit në treg”, tha kryeministri.

Drejtor ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, tha se vizita e sotme kishte të bënte me zhvillimet e fundit në Telekom, investimet e bëra deri tash, dhe sfidat të cilat e presin Telekomin e Kosovës në zhvillimin dhe ruajtjen e rolit dhe pozitës së liderit sidomos në telefoninë mobile.

Ai tha po ashtu se me kryeministrin janë pajtuar për zhvillimet e mëtutjeshme të Telekomit të Kosovës.

“Sot kryeministri dhe ministrat e tij u informuan detajisht nga menaxhmenti i Telekomit të Kosovës së bashku me kryetarin e Bordit të drejtorëve dhe në parim kemi dakordancë të plotë për zhvillimet e mëtutjeshme të përbashkëta, në këtë rast edhe si aksionar, si menaxhment dhe si bord i drejtorëve për orientimin strategjik të zhvillimit të Telekomit të Kosovës apo edhe të VALA-s”, tha drejtori Mustafa.

Në pyetjet e gazetarëve lidhur me deklaratat e një dite më parë të Vuçiqit, kryeministri Mustafa tha se sa i përket pronës në Republikën e Kosovës, me Kushtetutë dhe me Pako të Ahtisaarit është paraparë shumë qartë që çdo gjë që është në territorin e Republikës së Kosovës është pronë  e Republikës së Kosovës.

“Për këtë arsye edhe ne nuk po i japim rëndësi deklaratave ditore ose javore ose të rastësishme që po i japin të tjerët, sepse ne e dimë çka është e jona dhe çka është e jona ne do ta zhvillojmë në harmoni me Kushtetutën. Do ta zhvillojmë edhe këtë kompani, sepse e konsiderojmë shumë të rëndësishme, dhe e konsiderojmë me interes të veçantë për publikun”, tha kryeministri Mustafa.

Lidhur me vendimin e Gjykatë Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit Thaçi, kryeministri Mustafa e ka mirëpritur duke theksuar se “nuk ka ndodh asnjë shkelje ditën që është zgjedh”.

Lidhur me procesin e ri të privatizimit të Postës, kryeministri Isa Mustafa tha se kjo çështje është biseduar edhe me Bordin edhe me drejtorin menaxhues.

“Ne nuk u përcaktuam për afatet, ne u përcaktuam se cila do të jetë qasja më e mirë për ta shtuar vlerën e Telekomit dhe ai do të jetë objektivi primar i yni. Në qoftë se kjo qasje bëhet përmes angazhimit të BERZH-it, ne pastaj do të futemi në një program, për të cilin sot nuk e dimë sa do të zgjas, do të thotë do të bëhet në bashkëpunim me kompaninë, në bashkëpunim me Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, Ministrinë për Financa dhe vendim të Qeverisë, dhe për atë pastaj ne do ta informojmë publikun”, tha kryeministri Isa Mustafa.

 

 

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)