Mustafa: Po ndërtojmë rrugë të standardeve bashkëkohore
Prishtinë, 20 qershor - Kryetari i Prishtinës,dr. Isa Mustafa deklaroi sot se rrugët të cilat po i ndërton Prishtina janë rrugë bashkëkohore, të cilësisë se lartë, të kritereve të cilat sot kërkohen që të jenë rrugët e qytetit.
Kryetari Mustafa deklaroi kështu gjatë ceremonisë së përurimit të rrugës së re Tahir Zajmi dhe fillimit të asfaltimit të rrugës mbi kolektor në Lagjen Kalabria.
Kryetari Mustafa tha se me ndërtimin dhe zgjerimin e rrugës Tahir Zajmi nga dy në katër korsi, me mbulimin e lumit/ndërtimit të kolektorit dhe ndërtimit të rrugës mbi të, ne do ta zgjidhim problemin e kësaj pjesë të qytetit.
\"Me vonë parashohim që të vazhdojmë mbi lumin Prishtina dhe të arrijmë deri të tregu i madh, në mënyrë që atje të lidhemi me unazën që lidhet me rrugën e Shkupit dhe të krijojmë një qasje jashtë qytetit në mënyrë që njerëzit mos të kenë nevojë të futën në qytet.\"
Duke folur rreth rrugës Tahir Zajmi, kryetari Mustafa tha se kjo rrugë e cila buxhetit komunal i ka kushtuar 967 mijë është e ndërtuar me katër korsi, trotuare të gjera, me sipërfaqe të gjelbëruar dhe me gjithë infrastrukturën nëntokësore që e parashohin standardet për ndërtimin e një rruge bashkëkohore.
Rruga e re është rrugë bashkëkohore, e cila krijon qasje dhe kyçje shumë të mirë në këtë pjesë të qytetit. Kontrata e parasheh që punimet të përfundojnë brenda 3 muajve, mirëpo punë kryesi po na premton se asfaltimi i rrugës mbi kolektor do të përfundoj brenda 2 muajve. Shpresojmë që punë kryesi do ta mbaj fjalën, tha kryetari Mustafa.
Ndryshe, Rruga e re i ka katër korsi, shirit të ri të gjelbër dhe trotuarin për këmbësor të gjerë 2.5 metra. Vlera e këtij projekti është 967 mijë euro dhe punë kryes ka qenë kompania Kastrioti.
Rruga mbi kolektor do të jetë me katër korsi, 1.3 kilometër e gjatë, me një gjerësi prej 23 metra, me shirit të gjelbër dhe trotuar për këmbësor. Kontraktues është kompania Çlirimi. Kostoja e ndërtimit të rrugës do të jetë 847 mijë euro.