Mustafa inspektoi punimet në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit
Prishtinë, 20 gusht - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, vizitoi të enjten punimet në realizimin e projektit të autostradës Prishtinë- Hani i Elezit.
Kryeministri Mustafa u njoftua nga zyrtarët e kompanisë ndërtuese për ecurinë dhe procesin e punimeve në segmente të caktuara të projektit.
Kryeministri Isa Mustafa vlerësoi punën që po kryhet dhe theksoi rëndësinë që ka për Kosovën ky projekt i rëndësishëm infrastrukturor.
Kryeministri Mustafa dhe ministri Zharku, gjatë vizitës shikuan nga afër punimet në realizimin e projektit të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit në segmentin C1, kyçjen R6/R7 dhe lidhjen me rrugën nacionale N2 në drejtim të udhëkryqit për Gjilan, për të vazhduar pastaj zhvillimin e punimeve në drejtim të kyçjes në Konjuh.
Projekti i Ndërtimit të Autostradës Prishtinë - Hani i Elezit, ka filluar në Korrik të vitit 2014. Në pjesën e segmentit nga kyçja R6/R7 dhe lidhja me rrugën nacionale N2 (udhëkryqi i Gjilanit) shumica e punëve janë kryer dhe pritet të finalizohet pjesa e fundit nga rreth rrotullimi afër Rezonancës deri te lidhja me rrugën nacionale N2.