Mundësitë dhe sfidat e aviacionit civil në Kosovë
Prishtinë, 8 dhjetor - Autoriteti i Aviacionit Civil do të organizojë sot një konferencë kushtuar aviacionit civil në Kosovë.
Konferenca mbahet me rastin e 7 dhjetorit - Ditës ndërkombëtare të aviacionit civil si dhe 100 vjetorit të fluturimit të parë komercial.
Tri temat që do të trajtohen në formë paneli do të jenë:
- Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare të aviacionit dhe integrimi i saj në Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit me përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme, Autoriteti i Aviacionit Civil dhe Ministria e Integrimit Evropian.
- Normalizimi i hapësirës ajrore dhe zhvillimi i aviacionit të përgjithshëm në Kosovë me përfaqësues nga ANP Adem Jashari - Kontrolli Ajror, KFOR-i, Federata Aeronautike e Kosovës dhe Autoriteti i Aviacionit Civil.
- Strategjia e zhvillimit të trafikut, resurseve njerëzore dhe infrastrukturës në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës me përfaqësues nga Departamenti për Partneritet Publiko-Privat në Ministrinë e Financave, ANP Adem Jashari dhe kompanitë ajrore që fluturojnë në Prishtinë.
Ligjërues mysafirë do të jenë z. Cavan Fabris, Zyrtar ekonomik dhe komercial në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, z. Walter Reimann, Zëvendëspresident për çështjet ndërkombëtare dhe aeropolitike në Austrian Airlines si dhe z. Omer Pita, Drejtor i Agjencisë së Aviacionit Civil të Kroacisë. Në konferencë do të marrin pjesë edhe përfaqësues të NATO-s, ambasadave, zyrës së BE-së, institucioneve të vendit, profesionistë të avicionit dhe të ftuar nga shoqëria civile.
Pritet që konferenca të nxjerrë konkluzione, të cilat do të jenë në dobi të kalimit të sfidave të këtij sektori, kryesisht në rrugën e anëtarësimit në organizmat ndërkombëtarë të aviacionit si dhe në funksion të zhvillimit sa më të madh të transportit ajror në Kosovë.
Konferenca përkrahet nga operatori i ANP Adem Jashari, Limak Kosovo International Airport. Mediat janë të mirëseardhura ta ndjekin konferencën.