Mullinjtë e vjetër në pullë postare
Prishtinë, 1 nëntor - Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e ri të pullave postare me titull:Mullinjtë e vjetër.
Në Kosovë krahas arkitekturës së vjetër si pjesë e trashëgimisë ilire-pellazgo-shqiptare hyjnë edhe mullinjtë. Mullinjtë zakonisht ndërtoheshin në ato vende ku rrjedha e lumit ishte mjaft e fuqishme në mënyrë që mos të ketë pengesa rrotullimi i gurit.
Kombinimi i drurit dhe gurit në arkitekturën e këtyre mullinjve është vërtet mbresëlënës, edhe sot në mullinjtë aktiv ekzistojnë punimet e gdhendura në dru.
Arkitektura e mullinjve, aroma e miellit dhe drurit, zhurma e rrjedhjes së ujit, padyshim joshin turistët dhe zgjojnë kureshtjen e vizitorëve të shumtë.
Me emetimin e emisionit Mullinjtë e vjetër, Filatelia e Postës së Kosovës vazhdon me promovimin e thesareve të trashëgimisë së begatshme të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht jep kontribut të pamohueshëm në ruajtjen e vlerave kulturore e historike të shtetit.
Konsumatorët e produkteve të Filatelisë së Postës së Kosovës, pullat postare dhe bllokun filatelik nga ky emision do ta kenë në dispozicion që nga 02.11.2011 në të gjitha zyret postare.