Mujota vizitoi punimet në autostradën Prishtinë-Hani i Elezit
Prishtinë, 14 gusht - Ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, sot vizitoi punimet në autostradën Prishtinë Hani i Elezit në fshatin Uglar afër Fushë-Kosovës, përkatësisht nyjën lidhëse të Rrugës 7 me Rrugën 6, në të cilën tashmë punimet, të cilat po i kryen konsorciumi Bechtel&Enka, janë në vlug.
Sot jemi në vizitë pune në vendin ku takohen Rruga 7 dhe Rruga 6 dhe po shohim nga afër progresin e arritur në punimet e filluara më herët. Jemi shumë të kënaqur me përgatitjet teknike që i ka bërë kompania Bechtel&Enka dhe me shkallën e mobilizimit të saj, tha ministri Mujota.
Duke shtuar se çdo gjë ka shkuar sipas planit dhe se çdo gjë do të përfundojë ashtu siç është planifikuar, si në realizimin e punimeve fizike, ashtu edhe sa i përket buxhetit të planifikuar.
Mujota tha po ashtu se kjo është një ditë e rëndësishme për qytetarët e vendit, që të shohin drejtpërdrejt fillimin e mbarë në autostradën e shtrirë Prishtinë-Ferizaj - Kaçanik - Hani i Elezit, që lidhet pastaj me Maqedoninë dhe Korridorin 8.
Ministri Mujota tha gjithashtu se i siguron akterët të cilët do të jenë të angazhuar pak më tepër se tri vite në realizimin e këtij projekti, se Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, në mënyrë që Ministria e Infrastrukturës të jetë plotësisht e përgatitur për përcjellën e dinamikës së paraparë të punimeve në këtë projekt.
Sipas ministrit Mujota, këtë vit do të ketë rreth 50 milionë euro buxhet dhe është paraparë që ai të realizohet qind për qind, ndërsa për vitet tjera buxheti është planifikuar brenda kornizës afatmesme të shpenzimeve dhe çdo gjë është në rrugën e duhur që të përfundojë puna mbarë dhe me sukses, për vendin dhe rajonin.
Ndërkaq, drejtori i projektit të autostradës, Chris Jennions, shprehu kënaqësinë e tij për punën që po bëhet, siç tha, falë ministrisë. Ajo që shihni sot këtu, ka ardhur si rezultat i punës së jashtëzakonshme që është bërë nga ministria dhe mobilizimit të shpejtë, për çka duhet falënderuar ministrinë, nga që, si rezultat i punës proaktive, është shpronësuar kjo zonë dhe jemi në gjendje të vazhdojmë punën me sukses, tha Jennions.