Mujota, në takimin e ministrave të transportit të SEETO-s
Prishtinë, 27 nëntor - Sot në qytetin Antverp të Belgjikës fillon takimi vjetor i ministrave të transportit të vendeve anëtare të Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore (SEETO), anëtarë të të cilit janë të gjitha vendet e Evropës Juglindore.
Në kuadër të temave që do të prezantohen në këtë takim, ministri i Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës, Fehmi Mujota, do të ketë një prezantim me temën Rrjeti Gjithëpërfshirës i Observatorit të Transportit në Evropën Juglindore Të arriturat, planet e së ardhmes dhe vizioni për arritjen e pajtueshmërisë së plotë me Rrjetin Gjithëpërfshirës Transevropian të Transportit (TEN-T).
Observatori i Transportit të Evropës Juglindore (SEETO) është organizatë rajonale e transportit, e themeluar më 11 qershor 2004 me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit për zhvillimin e Rrjetit Qendror Rajonal të Transportit, memorandum ky të cilin e kanë nënshkruar qeveritë e të gjitha vendeve të Evropës Juglindore dhe Komisioni Evropian.
Takimi i sivjetshëm i ministrave të vendeve të SEETO-s, i cili mbahet më 28 dhe 29 nëntor, është takimi i shtatë me radhë që nga themelimi i Observatorit të Transportit të Evropës Juglindore.