Mujota informon ambasadoren Jakobson për punimet në autostradë
Prishtinë, 19 nëntor - Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, me të cilën zhvilloi një bisedë të përzemërt lidhur me aktivitetet e gjithëmbarshme të Ministrisë së Infrastrukturës.
Pasi e falënderoi për bashkëpunimin e deritashëm midis Ministrisë së Infrastrukturës dhe ambasadës së SHBA në Kosovë, ministri Mujota e njoftoi ambasadoren Jacobson me zhvillimin e punëve dhe projekteve të Ministrisë së Infrastrukturës, me theks në ndërtimin e projektit madhor infrastrukturor, autostradës Morinë-Merdar, si dhe për përgatitjet që po bëhen për fillimin e realizimit të projektit të dytë të rëndësishëm, autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, që do ta lidhë Prishtinën me Shkupin.
Ministri Mujota e informoi ambasadoren Tracey Jacobson edhe për investimet në infrastrukturën rrugore në Republikën e Kosovës, për investimet nëpër komuna dhe për planet dhe projektet e vitit të ardhshëm.
Në fund të takimit të dy bashkëbiseduesit u zotuan për vazhdimin e bashkëpunimit midis ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Ministrisë së Infrastrukturës, i cili gjithnjë ka qenë në nivel të lartë.