MPMS inspekton sigurinë në punë në kompaninë Bektel&Enka
Prishtinë, 21 mars - Një delegacion i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, që kryesohej nga zëvendësministri i kësaj ministrie, Fatmir Shurdhaj, ku pjesë e këtij delegacioni ishin edhe ekspertë të çështjeve të punës dhe të sigurisë në punë, kanë vizituar trasenë e autostradës Vërmicë-Merdare, në Bajë të Malishevës.
Menaxhmenti i kompanisë Bektel&Enka ka njoftuar delegacionin e MPMS-së për procesin e punës që është duke u zhvilluar aktualisht, ku sipas tyre, janë të angazhuar 600 punëtorë, nga 3 mijë sa ishin deri në fillim të dimrit, kurse tash me fillimin e sezonit veror do të pranohen në punë po aq sa kanë qenë të angazhuar paraprakisht.
Zv/ministri Shurdhaj ka shprehur interesimin e tij për çështjen e sigurisë në punë të të punësuarve, që, bazuar në raportet e gjertanishme të Trupës Ekzekutive të Inspektoratit të Punës, janë të kënaqshme, sepse të kryhet një punë kaq madhore e me sakrifica e të mos ketë të lënduar seriozisht në punë e asnjë rast vdekjeje është për tu admiruar.
Shurdhaj gjithashtu ka potencuar nevojën e vazhdimit të bashkëpunimit në mes kompanisë dhe MPMS, gjegjësisht zyrave komunale të punësimit në Malishevë dhe Therandë, ashtu siç ka ekzistuar ky bashkëpunim me Shërbimin Komunal të Punësimeve në Prizren.
Është në të mirën e përgjithshme që të punësuarit në këtë kompani të vijnë nga zyrat komunale të punësimit, por të përfshihen edhe rastet sociale të kategorisë së dytë, sepse kjo është formë institucionale e punësimit. Bashkëpunimin tonë mund ta zgjerojmë edhe në sferën e aftësimeve profesionale, ku MPMS përmes qendrave të aftësimit profesional trajnon edhe punëkërkues të profileve të ndërtimtarisë, që e kanë më lehtë të integrohen drejtpërdrejt në procesin e punës- ka thënë pos tjerash Shurdhaj.
Shurdhaj gjithashtu ka kërkuar që në procesin e punës të përfshihen edhe kompani të vogla vendore, që kanë makinerinë dhe potencialin tjetër të nevojshëm, proces ky që edhe është i paraparë edhe me kontratë.
Gjithashtu nga zyrtarët e MPMS-së është ofruar mundësia e mbajtjes së ligjëratave me të punësuarit lidhur me format dhe mënyrat e sigurisë në punë.
Në komente e tyre, zyrtarët e kompanisë Bektel&Enka, janë shprehur se orientimin e parë për punësim e kanë tek zyrat komunale të punësimit, kurse sa i përket angazhimit të kompanive vendore, ka ekzistuar dhe ekziston gjithnjë një bashkëpunim i shkëlqyeshëm dhe janë të angazhuara drejtpërdrejt në procesin e punimeve, kurse sa i përket çështjes së sigurisë në punë çdo i punësuar paraprakisht kryen trajnimin për siguri në punë e tek pastaj dërgohet në proces të punës.
Ishte vlerësim i përbashkët se çdo lloj bashkëpunimi i çdo faktori relevant që është në të mirën e përbashkët është i mirëseardhur dhe do të ketë ndikim pozitiv në uljen e shkallës së papunësisë dhe uljen e varfërisë në Kosovë, që janë ndër sfidat kryesore të qeverisë së Republikës së Kosovës.