Modele të reja në ekspozitën ajrore
Paris, 23 qershor - Kryeqyteti francez është bërë këtë javë qendra e vemendjes për botën e aeronautikës. Aeroplanë të të gjitha llojeve, duke filluar nga ata luksozë të biznesit, e deri tek avionët më të fundit për udhëtarë, mund të vizitohen në ekspozitën e 50 të aviacionit në Paris.
Prodhuesit shpresojnë që mjetet e tyre fluturuese të pëlqehen nga klientët dhe të shtojnë shitjet. Ekspozita mbyllet më 23 qershor.
Kjo është ekspozita më e njohur në botë e aviacionit. Në aeroportin Le Bourget, pak kilometra nga qendra e kryeqytetit francez është shpalosur teknologjia më e re e avionëve.
Mbi dy mijë prodhues po demonstrojnë modelet e tyre përpara 300 delegacioneve ndërkombëtare, më shumë se tre mijë gazetarëve dhe rreth 350,000 vizitorëve.
Ata që vijnë këtu jo vetëm kanë rast të njihen nga afër me avionët në tokë, por edhe të ndjekin demonstrime në ajër.
Duket se kriza financiare globale nuk ka lënë shenja në këtë industri, sepse risitë teknologjike këtu nuk mungojnë, madje disa nga modelet janë të fjalës së fundit, të paparë ndonjëherë.
Prodhuesi i avionit të biznesit Gulfstream është paraqitur me modelin G650, për të cilin thotë se është aeroplani më i shpejtë i këtij lloji në botë dhe me një ulje 15 për qind në konsumin e karburantit.
"G650 është avioni i biznesit që mund të përshkojë distancën më të gjatë në ajër. Me të mund të fluturosh pa ndalesë nga Parisi në Los Anxheles ose nga Parisi në Hong Kong," thotë Steve Cass, nënpresident për komunikimin i firmës Gulfstream.
Vëmendja e ekspertëve sot është përqendruar te ulja e kostove të fluturimit. Airbus-i, për shembull, po e realizon këtë në modelin e tij të ri A350.
"Tani ne prodhojmë motorë që konsumojnë shumë më pak karburant, si Dreamliner apo A350 dhe po shkojmë drejt prodhimit të një avioni elektrik. Një aeroplan elektrik për udhëtarë, që ishte i papërfytyrueshëm pesë vjet më parë", thotë Gerard Feldzer, ekspert i aviacionit.
Kjo mund të thuhet edhe për një projekt që po administrohet nga kompania Evropiane Aeronautike dhe e Mbrojtjes (EADS).
"E-Fan" është një avion dy-vendësh me motor elektrik. Ai është projektuar për të mbajtur bateri te krahët dhe mund të përdoret si avion trajnimesh.
Por kompania EADS ka një objektiv më të largët.
"Ne duam të fillojmë me aeroplanë të vegjël dhe pasi ta kemi zotëruar mirë këtë teknologji do të ecim drejt asaj që e quajmë e-Airbus ose e-Eurocopter" thotë Jean Botti, kryeinxhinjer i firmës.
Eurocopter është një tjetër prodhues që merr pjesë në ekspozitë. Kjo firmë ka arritur një rekord të ri shpejtësie dhe këtu paraqitet me një mjet fluturues me krah të shkurtër dhe me dy helika.
"Kemi arritur të lidhim helikat me rotorin dhe kështu kemi një mjet fluturues mes aeroplanit dhe helikopterit," thotë specialisti i Eurocopterit, Christian Fanchini.
I veçantë është edhe "Projekti Zero", i cili ka aftësinë e ulje-ngritjes vertikale.
Në ekspozitë janë paraqitur edhe avionë ushtarakë, duke përfshirë aeroplanë pa pilot.
Prodhuesi francez Dassault ka ardhur me projektin "Neuron" - një mjet fluturimi eksperimental i telekomanduar.
Ky është një mjet i ngjashëm me një avion udhëtarësh, por i padiktueshëm nga radarët. Kostoja e tij është 25 milion dollarë.