Mitrovicë, rrugët kryesore të kalueshme, punohet në fshatra
Mitrovicë, 20 shkurt - Pas angazhimit të pandërprerë të tetë kompanive të angazhuara për zhbllokimin e rrugëve nga bora gjendja në territorin e Komunës së Mitrovicës është kthyer në normalitet.
Si rrjedhojë drejtuesit e Komitetit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera morën vendim të hënën që mos të vazhdohet me gjendjen e gatishmërisë, siç ka qenë deri me tani për shkak të situatës së rëndë të krijuar nga bora.
Kryetari i komunës, Avni Kastrati, vlerësoi punën e mirë që është bërë prej të gjithë atyre që kanë qenë të angazhuar për zhbllokimin e rrugëve.
Ka qenë një sfidë për ne të gjithë, por që është menaxhuar mirë si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve, qytetarëve dhe shoqërisë civile.
Ndërsa për gjendjen në terren foli Rasim Veseli, drejtor për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë.
Ai tha se të gjitha rrugët janë të kalueshme, ndërsa ditëve dhe netëve të fundit puna është koncentruar në pastrimin e borës nga rrugët dhe trotuaret në qytet. Në pjesën më të madhe të qytetit rrugët dhe trotuaret janë pastruar dhe lëvizet lirshëm.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se rrugët janë të kalueshme edhe në zonën e Shalës. Por potencoi se ka disa lagje që ende janë të bllokuara ku tashmë ka nisur puna për zhbllokimin e tyre.
Janë disa familje në fshatra të ndryshme të thella, të cilat ende janë të bllokuara. Jemi duke punuar pa ndërprerë që asnjë familje të mos mbetet e bllokuar.
Në takimin e Komitetit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë, mori pjesë edhe drejtori për Arsim, Ali Bejta, i cili raportoi për rifillimin e procesit mësimor.
Mësimi ka nisur në të gjitha shkollat. Në shkollën fillore në Vaganicë dhe në Selac ka pasur probleme me ngrohje për shkak të disa defekteve në pajisje, mirëpo është ndërhyrë dhe pritet që gjendja të normalizohet shpejt.
Ai tha se procesi mësimor ka nisur edhe në zonat e thella malore. Rrugët kryesore kanë qenë të kalueshme andaj stafi shkollor nuk ka pasur problem për qasje në shkolla. Në disa shkolla të fshatrave të thella ka pasur mungesa të nxënësve për shkak se disa lagje ende nuk janë zhbllokuar nga bora.