Miratohet shpronësimi i pronave të autostradës Prishtinë-Hani i Elezit
Prishtinë, 6 prill - Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, të 83-tën me radhë, në të cilën ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve për kompensimin e dëmeve nga vërshimet, propozimin për anëtarë të Komisionit Kosovarë të Konkurrencës dhe vendime për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik.
Në vazhdim të ndërtimit të autostradës R6 Prishtinë-Hani i Elezit, Qeveria ka aprovuar vendimin për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësimet të cilat preken nga kjo autostradë, Sektori C2 dhe C3, Zonat Kadastrale Kaçanik i Vjetër, Komuna e Kaçanikut.
Po ashtu, është aprovuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga ndërtimi i ndërtesave të përhershme të menaxhimit të integruar të kufirit IBM, Pikat Kufitare në Merdare dhe Bërnjak.
Qeveria e Kosovës, ka aprovuar po ashtu vendimin preliminar për shpronësim dhe krijimin e detyrueshëm të servitutit për interes publik për pronat të cilat preken nga ndërtimi i Linjës së dyfishtë 110 kV Nën stacioni Peja 3 dhe Peja 1 dhe Rehabilitimi i linjës ekzistuese 110 kV Nënstacioni Peja 2 dhe Nën Stacioni Deçan.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare të shënimin e festës memoriale të Komunitetit Turk në Kosovë. Ministri i Drejtësisë ka propozuar që në të ardhmen të parashihet një fond i veçantë i buxhetit për financimin e manifestimeve për festat zyrtare dhe memoriale në Republikën e Kosovës.
Kryeministri Isa Mustafa e ka përkrahur propozimin e ministrit Kuçi dhe ka propozuar që të punohet në këtë drejtim.
Me propozimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, është aprovuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet në ekonomitë bujqësore në disa komuna të Kosovës gjatë janarit të viti 2016.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për ti propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës, kandidatët për emërimin e anëtarëve në Komisionin Kosovar të Konkurrencës.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka informuar se Qeveria ka aprovuar këtë vendim edhe më datën 15 mars.
Më vonë jemi informuar se disa prej kandidatëve mund të kenë probleme sa i përket kushteve ligjore, për arsye se ligji i ndalon që ata të kenë marrëdhënie pronësore me firma, të jenë aksionarë ose pronarë të firmave të caktuara. Dhe kemi vërejtur se dy prej kandidatëve mund të kenë probleme të tilla. I kemi thirr, kemi biseduar me ta dhe kemi konstatuar se në regjistrin e bizneseve ata figurojnë si të tillë, prandaj dy prej tyre kemi propozuar që ti heqim, në mënyrë që të mos propozojmë njerëz jashtë kushteve ligjore dhe që të bëjmë pastaj plotësimin me dy anëtarë të tjerë.\"
\"Dhe me këtë jemi siguruar që tani për tani kandidatët nuk mund të kenë probleme të tilla dhe i kemi shtyrë që të gjithë të nënshkruajnë deklaratën se me rastin e zgjedhjes së tyre nuk do të bartin asnjë pozitë politike dhe nuk kanë asnjë konflikt të interesit sa i përket biznesit, ato që ligji i parasheh.\"
\"Po ashtu, jam marrë vesh me zyrën time dhe me sekretarin e Qeverisë që ne të trajtojmë edhe disa vërejtje që kanë qenë lidhur me anëtarët e bordeve të kompanive publike, se në qoftë se atje gjejmë njerëz që aktivisht ushtrojnë pozita politike dhe mbajnë po ashtu vende në borde do ti propozojmë Qeverisë që të bëjë ndryshmin dhe zëvendësimin e tyre. Kjo është arsyeja pse për së dyti e sollëm këtë vendim në Qeveri, ka thënë kryeministri Mustafa.
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, ka informuar kabinetin qeveritar për rifillimin e programit të bursave Fullbright, për shkëmbimin e studentëve të fushave të ndryshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ministri kërkoi nga kabineti qeveritar që të përkrah me pjesëmarrje financiare në fondin e këtij programi të rëndësishëm për aftësimin e studentëve kosovarë.
Kryeministri Isa Mustafa, ka përkrahur këtë iniciativë duke kërkuar bashkëpunim dhe mbështetjen e ministrive për këtë inciativë të rëndësishme.