29 Dhjetor 2024

Miratohet financimi i fazës së parë të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10

Prishtinë, 30 prill - Këshilli Kombëtar për Investime mbajti sot takimin e parë konstituiv të bashkëkryesuar nga ministri i Integrimit Evropian Bekim Çollaku si dhe ministri i Financave Avdullah Hoti.

Gjatë këtij takimi Këshilli miratoi Rregulloren e Punës dhe financimin e fazës së parë të rehabilitimit të linjës hekurudhore 10.

Po ashtu, u miratua edhe metodologjia për përzgjedhjen dhe prioritizimin e projekteve të infrastrukturës, si dhe u diskutua lista preliminare e projekteve prioritare infrastrukturore.

Me këtë rast ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, bëri të ditur se ky këshill që do të koordinoj procesin e financimit të projekteve infrastrukturore në vend, ka për qëllim që të siguroj sinergji në mes të burimeve të ndryshme të financimit, përkatësisht buxhetit, huave dhe granteve.

”Synimi ynë është që deri në muajin nëntor të kemi të përgatitur Listën Prioritare të Projekteve në fushën e transportit, energjisë dhe mjedisit, për të vazhduare pastaj me çështjet infrastrukturore në sektorin social, por njëkohësisht do të konsiderohet edhe përfshirja e sektorëve të tjerë, pasi që zbatimi i metodologjisë për prioritizimin e projekteve infrastrukturore tani më është edhe kriter zyrtar i Komisionit Evropian”, ka thënë ai teksa ka shpjeguar metologjinë për përzgjedhjen dhe prioritizimin e projekteve infrastrukturore.

Kurse ministri i Financave, z. Avdullah Hoti ka theksuar se MF-ja së bashku me MIE-në kanë punuar ngushtë për të bërë themelimin e Komitetit Kombëtar për Investime një realitet dhe  shtytës të përmirësimit të menaxhimit të financave publike dhe njëkohësisht të rëndësishëm në përafrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian.

“Roli i Komitetit do të jetë i rëndësishëm për shqyrtimin më të gjerë të prioriteteve të Qeverisë të cilat do të përcaktojnë shkallën e zhvillimit të vendit si në përmirësimin e arsimit, shëndetësisë, furnizimit të mjaftueshëm me energji të volitshme sipas dinamikës së rritjes së kërkesës, përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm dhe ujitje të tokave bujqësore, si dhe shkurtimin e kohës së transportit rrugorë dhe hekurudhorë”, ka thënë ministri Hoti.

Ndërkaq i ngarkuari me punë nga Zyra e Bashkimit Evropian, z. Christof Stock, ka thënë se Këshilli Kombëtar për Investime i një rëndësie të veçantë për Kosovën që të përfitoj nga fondet e BE-së që janë në dispozicion për investime strategjike të cilat lidhin shtetet e Ballkanit Perëndimor mes tyre si dhe me shtetet anëtare të BE-së.

“Në veçanti, ne jemi duke i shikuar projektet e mëdha investuese në transport, energji, mjedis dhe infrastrukturë sociale për të cilat është alokuar shuma prej 1.4 miliard eurove për periudhën 2014-2020, në kuadër të Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF)”, ka shtuar ai.

Në këtë takim përveç ministrave anëtarë të këshillit, prezentë ishin edhe përfaqësues të ambasadave si dhe organizatave ndërkombëtare.

Vitin e kaluar, nën udhëheqjen e Kancelares Merkel u organizua takimi i Ballkanit Perëndimor në Berlin me qëllim të dakordimit të prioriteteve rajonale për investime infrastrukturore në Ballkanin Perëndimor e njohur si “Connectivity agenda”.

Pas takimit të Berlinit, janë mbajtur edhe 3 takime të tjera, gjegjësisht takimi i Beogradit, Prishtinës dhe së fundi takimi i Brukselit,  ndërsa tani pas një pune disa mujore progresi do të konsolidohet me Samitin e Vjenes që do të mbahet me 27 gusht të këtij viti.

Në kuadër të takimeve “Western Balkan 6” vendet e Ballkanit Perëndimor ishin dokorduar për themelimin e Komiteteve Kombëtare për Investime, obligim ky që ka rrjedh nga procesi i Berlinit.

Këto komitete janë platforma përmes së cilave do të diskutohen planet e financimit për secilin hap të ndërlidhur me projektet nga Lista Prioritare e Projekteve Infrastrukturore.  Për këto projekte BE-ja ka paraparë 1.4 miliard euro në kuadër të procesit të Berlinit.


Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)