Ministria e Infrastrukturës trash monopolin për homologim
Prishtinë, 26 prill - Duke filluar nga data 20 prill, Ministria e Infrastrukturës përmes një vendimi edhe më shumë e ka trashur monopolin për homologim të Shkëlqim Devollit.
E tëra kjo ka ndodhur, ngase Ministria e Infrastrukturës tashmë ia ka ndërprerë punën Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për atestimin e veturave. Lajmin për gazetën e kanë bërë të ditur zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Fakultetit Teknik.
Ministria e infrastrukturës ia ka rritur punën afaristit Shkëlqim Devolli, edhe përkundër faktit se ka një kontratë të kundërligjshme, por edhe kundërkushtetuese dhe tepër kriminale për homologim në Qendrën e Automjeteve të Kosovës, duke ia mundësuar që nga data 20 prill e këtij viti, t'i kenë të garantuara së paku edhe rreth 300 mijë euro qarkullim nga 'A-testimi", përveç të hyrave dhjetëra- milionëshe të garantuara nga homologimi i monopolizuar antikushtetues dhe antiligjor i automjeteve.
Deri më sot ka mbetur një mister i madh se si Ministria e Infrastrukturës e ka autorizuar biznesin e Shkëlqim Devollit pa asnjë konkurs, për të bërë edhe "Atestimin e automjeteve", që tash me ligjin e ri do të quhet 'Homologimi individual i mjeteve rrugore që importohen si dhe atyre të riparuara, të përpunuara dhe të përmirë- suara".
Ndërkaq, deputetët e opozitës dhe ekspertët e ekonomisë pyesin se përse Pal Lekaj, i cili derisa ishte deputet gjithnjë e quante marrëveshjen e homologimit se është një marrëveshje kriminale e klanit "Pronto", kurse tash pas "një pazari" që po dyshohet se qeveria e ka bërë me Devollët ua mundëson Devollëve që të rrisin të hyrat edhe më shumë në kurriz të qytetarëve, gjithnjë duke shkelur ligjet në fuqi dhe Kushtetutën,e cila nuk lejon monopolin në treg.
Lidhur me çështje, gazeta ka dërguar pyetje në adresë të QAK-ut, por zyrtarët e tyre nuk kanë kthyer përgjigje, sikurse që nuk ka dhënë përgjigje as ministri Pal Lekaj. Ndërsa prokurori i Prokurorisë Speciale,Abdyrrahim Islami, për gazetën"Kosova Sot", tha se nuk ka njohuri për vendimin në fjalë të MI-së.
Shkëlqim Devolli ia punëson djalin drejtorit Kadri Krasniqi në kompaninë e tij QAK
Ndërsa në mungesë të ministrit Pal Lekaj dhe sekretarit të kësaj ministrie, që ndodheshin në udhëtim zyrtar në Slloveni, për gazetën ka folur drejtori i njërit prej departamenteve, Kadri Krasniqi.
Ai, me këtë rast e ka konfirmuar shkurtazi për gazetën "Kosova Sot" lajmin duke thënë se kjo është e vërtetë, se tashmë është ndërprerë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës bashkëpunimi me Fakultetin e Makinerisë.
"Ndërsavendimin e ka marrë ministri Pal Lekaj", u shpreh ai. I pyetur se a është i punësuar djali i tij Tafil Krasniqi në kompaninë QAK, që është në pronësi të Devollëve, Krasniqi ka thënë se kjo është e vërtetë, por kjo nuk ka të bëjë aspak me vendimin që e ka marrë ministri Pal Lekaj, "sepse unë jam në pozitë të vogël që të mund të ndikojë në vendime aq të mëdha të një ministrie".
Dyshime për pazare të pista
Deputeti i opozitës në Kuvendin e Kosovës, Salih Salihu (Grupi i Pavarur), tha për " Kosova Sot",se ministri aktual Pal Lekaj,derisa ishte deputet opozite në Kuvendin e Kosovës në punën e shumë komisioneve ku ishin edhe bashkë, disa herë gjithnjë e quante marrëveshjen e homologimit marrëveshje kriminale të klanit "Pronto", kurse tash si po duket pas "një pazari" që ka dyshime të mëdha se mund ta ketë bërë me Devollët po ua mundëson Devollëve që të rrisin të hyrat edhe më shumë, por në kurriz të qytetarëve, gjithnjë duke shkelur ligjet në fuqi dhe Kushtetutën, e cila nuk lejon monopolin në treg.
"Veprimet e z. Lekaj na tregojnë se si ia ka mundësuar kjo Qeveri aktuale edhe një mundësi tjetër shtese klanit të madh 'Pronto' dhe Shkëlqim Devollit, duke ia rritur të hyrat e kompanisë së tyre "EuroLab", që operon me Qendrën e Automjeteve të Kosovës, pasi do të jetë sërish e vetmja kompani e autorizuar për të bërë këtë çështje, me monopol antikushtetues dhe antiligjor", potencoi ai.
"Me këto vendime kontroverse, ministri Pal Lekaj ia ka trashur monopolin për homologim Shkëlqim Devollit, duke ia ndërprerë punën Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike për atestimin e veturave. Është për t'u habitur se përse u autorizua biznesi i Shkëlqim Devollit pa asnjë konkurs nga Ministria e Infrastrukturës për të bërë edhe 'Atestimin e automjeteve', që tash me Ligjin e ri do të quhet 'Homologimi individual i mjeteve rrugore që importohen si dhe atyre të riparuara, të përpunuara dhe të përmirësuara", vijoi më tutje Salihu.
Djali i drejtorit të MI-së, i punë-suar në QAK
Analisti Dardan Grapci, për " Kosova Sot", tha se opinioni vendor duhet që ta dijë se drejtorit të Departamentit në Ministrinë e Infrastrukturës Kadri Krasniqi i punon djali i tij, Tafil Krasniqi, në QAK-un e Devollëve.
"Sa për dijeninë tuaj dhe lexuesve të gazetës, dua t'ju njoftoi se z.Kadri Krasniqi, për të cilin në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se ai është personi i cili është më i korruptuari, ngase ai ka qenë i autorizuar që kujt të dojë t'i lëshojë licencën e punës për kontrolle teknike të automjeteve, madje edhe pa i plotësuar kriteret. Kjo, sepse që ngakoha kur në këtë ministri, sa ka qenë ministër, z. Fatmir Limaj, ky person ka pasur aso privilegjesh që të pajisë me licenca pune dhe autorizime për të licencuar kontrollet teknike sipas dëshirës së tij personale. Andaj, me këtë person duhet që të merren Hetuesia dhe Prokuroria e Kosovës, por edhe njësia për krimin e organizuar", u shpreh ai.
"Fajtor për një vendim të tillë të ministrit Pal Lekaj është pikërisht zyrtari i lartë i kësaj ministrie, Kadri Krasniqi, djali i të cilit, Tafil Krasniqi, është i punësuar në kompaninë QAK-utë Devollëve. Andaj, edhe kjo është arsyeja se përse atestimin e automjeteve, të cilin e ka kryer deri më tash Instituti i Fakultetit Teknik, iu është ndërprerë duke ua forcuar monopolin e QAK-ut të Devollëve, që është ndihmuar nga ky zyrtar i Ministrisë së Infrastrukturës", vlerëson Grapci.
Ndërsa eksperti i ekonomisë, Lulzim Beqiri, për "Kosova Sot", tha se vendimi i Ministrisë së Infrastrukturës për vazhdimin e monopolit një kompanie të vetme tregon për rrugën e keqe që ka marrë ekonomia kosovare.
"Sa evështirë është të bësh biznes në Kosovë, nuk mjaftojnë krekosjet e politikanëve se kemi ligjet më të mira në botë, përderisa ato ligje janë vetëm në letër. Pasi shkatërruan PTK-në, 'Trepçën', konkurrencën e lirë, në pritje të shkatërrimit të ndonjë sektori tjetër, mjerë populli në dorë të kujt e ka lënë ekonominë", vlerësoi ai. Sipas një analize të Institutit GAP, nga monopoli në homologim, në periudhën 2009-2015, konsumatorët kosovarë kanë humbur së paku 25 milionë euro.
Kadriaj: 'Devolli' po noton me të dy nivelet e pushtetit dhe me të gjitha partitë politike dhe qeveritë e deritanishme
Analisti Mustafë Kadriaj, për "Kosova Sot", tha se së pari profili i ministrit aktual të Infrastrukturës, Pal Lekaj nuk të krijon besueshmëri, për shkak të edukimit të tij, sepse një doktor nuk ka të bëjë me këtë lëmi, pra që në fillim kryeministri aktual ka dështuar duke mos vendosur njeriun e duhur në vendin e duhur.
"Edhe puna e ministrit aktual të Infrastrukturës po tregon që ka një performancë të dobët, përveçqë shpenzon buxhetin në pagesa të kontestuara të ngritura si çështje edhe në Parlament, pra pa një vërtetim paraprak të obligimeve", u shpreh ai."
Rasti i homologimit dëshmon më së miri që Republika e Kosovës është një shtet privat, por kompaninë 'Devolli' dhe pronarët e saj i kuptoj drejt, sepse ata tentojnë të rrisin kapitalin e vet, por problemi ekziston tek qeveritarët, që po bien pre e joshjeve të mitës, sepse secila qeveri vetëm çka po e thellon bashkëpunimin me kompaninë 'Devolli', si në nivel qendror dhe lokal", vijoi më tej Kadriaj.
"Sot, të gjitha shkollat e Prishtinës furnizohen me qumësht po nga kompania 'Devolli', kontrollimi dhe homologimi po nga kompania 'Devolli', po ashtu ' ZMobile', po nga e njëjta kompani, pra 'Devolli' po di të notojë me të dy nivelet e pushtetit dhe me të gjitha partitë politike dhe qeveritë e deritanishme", theksoi ai. Sipas Kadriajt, këto abuzime dhe afera nga pushteti nuk kanë të ndalur dhe e keqja po rritet çdo ditë.
(Kosova Sot)