Ministria e Infrastrukturës financon asfaltimin e rrugëve në Kllokot
Prishtinë, 14 prill - Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku dhe nënkryetari i Komunës së Kllokotit, Hasan Rashiti, nënshkruan Memorandumin e mirëkuptimit për financimin e projektit të asfaltimit të rrugëve lokale në komunën e Kllokotit.
Me anë të këtij Memorandumi, MI do të financojë këtë projekt infrastrukturor në vlerë prej 50,000 eurosh.
Ndërsa, Komuna e Kllokotit obligohet të sigurojë kushtet e nevojshme për realizimin e këtij projekti për operatorët ekonomikë, të kryejë procedurat e tenderimit, të caktojë komisionin e vlerësimit, projekt-menaxherin, si dhe komisionin për inspektimin final të punimeve, në të cilin do të marrë pjesë një anëtar i MI-së.
Komuna obligohet që të sigurojë kushtet e nevojshme, që projekti të realizohet pa pengesa brenda afatit të caktuar, në përputhje me ndarjet buxhetore dhe me kualitet të lartë.
Po ashtu, Komuna është e obliguar të njoftojë MI-në për rrjedhat e realizimit të projektit, të kryejë çdo lloj shpronësimi të nevojshëm për zbatimin e këtyre projekteve, përfshirë procedurat e kompensimit në bashkëpunim me Ministrinë e Ambinetit dhe Planifikimit Hapsinorë dhe Ministrinë e Financave dhe të hartojë projektin për çdo investim infrastrukturor, i cili kryhet sipas këtij Memorandumi.