Ministri Zharku, takohet me ambasadoren e SHBA-ve Jacobson

Prishtinë, 17 dhjetor - Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, ka takuar të merkurën ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson.
Gjatë bisedës ministri Zharku e informoi ambasadoren për zhvillimin e fushave, që janë kompetencë e Ministrisë së Infrastrukturës, në veçanti për zhvillimin e infrastrukturës rrugore, për projektin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, si për zhvillimin e transportit . Ai njëkohësisht falënderoi ambasadoren për përkrahjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zhvillimin ekonomik të Kosovës, e sidomos të sektorëve që janë përgjegjësi e kësaj ministrie.
Ambasadorja Jacobson e uroi Zharku për emërimin e tij dhe u zotua që ambasada amerikane do të vazhdojë ta përkrahë këtë ministri duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim në të ardhmen. Gjatë bisedës ajo konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Ambasadës së SHBA-së për zhvillimin e infrastrukturës rrugore në Kosovë si parakusht esencial për zhvillimin ekonomik të vendit, për krijimin e një sistemi efikas të transportit tokësor, si dhe për zhvillimin e sektorit të aviacionit civil dhe për anëtarësimin e Kosovës në ICAO.