Ministri Zharku përuroi rrugë në Kamenicë dhe Novobërdë
Prishtinë, 4 nëntor - Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku me bashkëpunëtorë, së bashku me kryetarin e komunës së Kamenicës, Begzad Sinani dhe me zëvendësministrat Hanefi Muharremi dhe Fehmi Mujota, përuroi përfundimin e punimeve të asfaltimit të rrugës Topanicë - Dajkoc në komunën e Kamenicës, te memoriali i Metush Krasniqit dhe fillimin e punimeve në rehabilitimin e rrugës Muçivërc - Kranidell.
Më pas, ministri Zharku me kryetarin e komunës së Novobërdës, Svetislav Ivanoviç dhe me nënkryetarin e kësaj komune, Bajrush Ymerin, inauguroi asfaltimin e pjesshëm të rrugës Gjilan Novobërdë, në fshatin Kosaqë.
Ministri Zharku siguroi banorët e këtij rajoni se këto projekte do të realizohen me kohë dhe me kualitet të lartë.
Përveç këtyre projekteve, vitin e ardhshëm në komunën e Kamenicës do të realizojmë edhe shumë projekte të tjera. Do të mundohemi që ti plotësojmë nevojat dhe kërkesat e banorëve të kësaj ane duke përmirësuar infrastrukturën rrugore, tha ministri Zharku.
Kryetari i komunës së Kamenicës, Begzad Sinani, falënderoi ministrin Zharku për investimet e bëra të Ministrisë së Infrastrukturës në zhvillimin e infrastrukturës rrugore në këtë komunë. Ai uroi banorët e këtij rajoni për rrugët e reja.
Në fshatin Kosaqë, në fillimin e asfaltimit e pjesshëm të rrugës Gjilan-Novobërdë, ministri Zharku deklaroi se është i kënaqur me punën e bërë në këtë rrugë, duke shfaqur shpresën që ky projekt të përfundohet shumë shpejt. Ministri Zharku uroi banorët për rrugën e re dhe premtoi investime të reja në këtë komunë.
Projektet e financuara nga Ministria e Infrastrukturës në komunën e Kamenicës janë:
asfaltimi i rrugës Topanicë Dajkoc në vlerë prej 760,979.14 eurosh, me gjatësi 4.86 kilometrash dhe gjerësi prej 6 metrash, rehabilitimi i rrugës Muçivërc Kranidell në vlerë prej 1,099,294.69 eurosh, me një gjatësi prej 11.98 kilometrash dhe gjerësi prej 6 metrash dhe asfaltimi i pjesshëm i rrugës Gjilan Novobërdë në vlerë prej 230,789.06 eurosh, me gjatësi prej 3.93 kilometrash dhe gjerësi prej 5 metrash.
Gjatë këtij viti, Ministria e Infrastrukturës do të financojë edhe këto projekte në Kamenicë: ndërtimin i urës në fshatin Topanicë, mbushjen e gropave me asfalt në qytet dhe fshatra të kësaj komune dhe shtresimin me asfalt në rrugën Hajkobillë - Zajqec Tuxhec.