Ministri Zemaj, vizitoi Postën e Kosovës
Prishtinë, 23 dhjetor - Postën e Kosovës sot e vizitoi Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, i cili u mirëprit nga U.D. Kryeshefi Ekzekutiv, Xhevdet Smakiqi së bashku me Koordinatoren për ZMM anti COVID-19 në PK, Valbona Shala Thaqi dhe Drejtorin e Kontrollit të Brendshëm, Gazmend Isufi.
U.D. Kryeshefi Ekzekutiv, në emrin e tij dhe të gjithë punonjësve të Postës së Kosovës, falënderoi përzemërsisht Ministrin Zemaj për mbështetjen që i ka dhënë Postës së Kosovës në këtë kohë pandemie, që në krye të Ministrisë së Shëndetësisë dhe personelit shëndetësor po zhvillojnë luftë humane në frontin anti COVID-19, për shpëtimin e jetëve të qytetarëve të Kosovës.
Ai falënderoi mjekët dhe infermierët për kujdesin ndaj kolegëve tanë që u sfiduan dhe po sfidohen nga pandemia, si dhe për testimin e shumë punonjësve të ndërmarrjes tonë.
Ministri Armend Zemaj, përgëzoi U.D. Kryeshefin Smakiqi dhe Drejtorin Isufi për koordinimin dhe organizimin e Postës së Kosovës për zbatimin e masave mbrojtëse të marra nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë ndaj pandemisë COVID-19, si dhe inkurajoi që të vazhdohet në zbatimin e tyre për të ruajtur shëndetin e përgjithshëm, posaçërisht të punonjësve të ndërmarrjes që kanë qëndruan përball rrezikut çdo ditë krahas segmenteve të tjera vitale të shtetit në shërbim ndaj gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
U.D. Drejtoresha e DRNJAP-së, Valbona Shala Thaqi, në cilësinë e Koordinatores për Zbatimin e Masave Mbrojtëse kundër përhapjes së COVID-19, dhe Drejtori Isufi si bashkë koordinator i saj, paraqitën gjendjen aktuale shëndetësore të punonjësve në ndërmarrje, ndërsa falënderuan Ministrin Armend Zemaj për bashkëpunimin edhe me institucionet shëndetësore në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë për trajtimin e kolegëve tanë, ndërsa u zotuan se do të kryejnë me përkushtim këtë detyrë humane.
Gjatë këtij takimi, Ministri Zemaj dha premtimin që sapo të filloi vaksinimi në Kosovë, postierët dhe sportelistës e ndërmarrjes tonë që janë në rrezik të lartë për shkak të shërbimeve direkte ndaj klientëve të Postës, do të jenë në listën prioritare në rang me kategoritë e tjera të rëndësisë shtetërore.
Ndërsa për vaksinën sezonale, ai shprehi vullnetin e tij që ekipet shëndetësore të vijnë edhe në vendin e punës në zyra postare për vaksinonim të punonjësve tanë në shenj respekti ndaj tyre.
Në fund të takimit, U.D. Kryeshefi Ekzekutiv për kontributin e tij të çmuar të Ministrit Zemaj i dhuroi një ekzemplar të kornizuar me pulla postare, që Posta e Kosovës e ka lansuar për COVID-19.