Ministri Rexhepi mbajti takimin e nivelit të lartë për Sigurinë Ajrore
Prishtinë, 14 prill - Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thirrur sot në takim nivelin e lartë për Sigurinë Ajrore me temën e diskutimit: Të gjeturat nga Auditimi i bërë për kualitetin dhe kontrollin e sigurimit të aviacionit civil.
Ky Auditim është realizuar nga data 14 deri 23 shkurt nga ekipet e përbashkëta të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës.
Auditimi ka pasur për qëllim vlerësimin e zbatimit të Programit Kombëtar i Sigurimit të Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës në Aeroportin ndërkombëtar Adem Jashari.
Në këtë takim të sotëm u shqyrtua raporti në fjalë dhe u morën këto konkluzione:
1. Që kualiteti i kontrollit të sigurimit të aviacionit civil është me interes vital, sepse me Marrëveshjen për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit, sigurimi i aviacionit civil është njëri prej kritereve të rëndësishme të kësaj marrëveshje si dhe interes për sigurinë e pasagjerëve, operatorëve dhe bagazheve.
2. Zbatimi i kritereve të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit është shumë me rëndësi. Tashmë jemi ndër më të suksesshmit në rajon për përmbushjen e kritereve dhe se përmirësimi i të gjeturave nga raporti do të forcojë pozitën e Republikës së Kosovës për fazën e dytë të Marrëveshjes për Hapësirën e Përbashkët Evropiane të Aviacionit.
3. Nga nesër inspektorët do të bëjnë vizita të rregullta në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës Adem Jashari për të parë ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të dala nga Auditimi.
4. Ministri i Punëve të Brendshme do të nxjerrë vendimin sipas ligjit për aviacionin civil, për themelimin e Komitetit Kombëtar të Sigurimit te Aviacionit Civil, si dhe është marrë obligim për të rishikuar Programet Kombëtare të Sigurimit të Aviacionit Civil.
Sipas Ligjit mbi Aviacionin Civil, Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për vendosjen dhe ruajtjen e sigurimit të aviacionit civil në Republikën e Kosovës. MPB është përgjegjëse për zhvillimin, implementimin dhe mbikëqyrjen e Programit Kombëtar të Sigurimit të Aviacionit Civil.