Ministri Mujota udhëtoi për vizitë zyrtare në Kroaci
Prishtinë, 12 nëntor - Ministri i Ministrisë së Infrastrukturës të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Fehmi Mujota, udhëtoi për vizitë zyrtare në Republikën e Kroacisë, ku do të marrë pjesë në konferencën e parë të ministrave të vendeve të Ballkanit me temën Autostradat përmes partneritetit publiko-privat, të organizuar nga International Finance Corporation - IFC dhe Konfederata e Zvicrës, që do të mbahet në Motovun të Kroacisë.
Qëllimi i kësaj konference është ofrimi i një pasqyre të plotë për sfidat dhe përfitimet, zhvillimin e qëndrueshëm dhe për zgjidhjet afatgjate që ofron partneriteti publiko-privat në sektorin e autostradave.
Gjatë kësaj vizite, ministri Mujota do të ketë takime të ndara me ministrin e Punëve Publike dhe Transportit të Republikës së Shqipërisë, Sokol Olldashi dhe me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve të Republikës së Maqedonisë, Mile Janakieski.