Ministri Mujota priti ndihmës ministren e Malit të Zi, Lubisavleviq
Prishtinë, 19 maj - Sot ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, priti ndihmësministren e Malit të Zi, Mirel Radiq-Lubisavleviq, të cilën e shoqëronin zyrtarë të institucioneve malaziase të fushës të transportit.
Arsye e vizitës së delegacionit nga Mali i Zi në Kosovë është harmonizimi i tekstit të propozimit të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Malit të Zi mbi transportin ndërkombëtar rrugor të udhëtarëve dhe mallrave, e cila do të parafohet nesër, ndërsa do të nënshkruhet me ratin e takimit të krerëve të Ministrisë së Infrastrukturës të Kosovës dhe të Ministrisë së Komunikacionit të Malit të Zi, Fehmi Mujota dhe Andrija Lompar.
Në këtë takim ministri Mujota dhe ndihmësministrja e Malit të Zi, Mirel Radiq-Lubisavleviq, shkëmbyen informata lidhur me zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe transportit në të dy vendet dhe për perspektivat e zhvillimit të ardhshëm, duke shprehur gadishmërinë e dyanshme për zhvillimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit të ndërsjellë në këto fusha.
Gjatë bisedës, ministri Mujota foli për bashkëpunimin e deritashëm të Kosovës dhe Malit të Zi, veçmas në fushën e transportit dhe tha se është me rëndësi që marrëveshja e bashkëpunimit në të mirë të dy vendeve të arrithet sa më parë dhe se pala kosovare është kurdoherë e gatshme për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.
Nga ana e saj, ndihmësministrja e Malit të Zi, Miliq-Lubisvleviq, e falënderoi ministrin Mujota për pritjen e ngrohtë dhe tha se ana malaziase do të angazhohet që punët e përbashkëta, që do ti zhvillojnë të dy vendet në fushën e transportit rrugor, tu përgjigjen standardeve më të larta bashkëkohore.
Pas takimit në Ministrinë e Infrastrukturës, delegacionet e dy vendeve, që në nivel ekspertësh do të negociojnë për harmonizimin e projekt-marrëveshjes për transportin ndërkombëtar rrugor midis dy vendeve e vazhduan punën në Odën Ekonomike të Kosovës, ku u prtitën nga kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu.
Pas fjalës hyrëse të Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Skënder Gashit, delegacionet filluan punën në harmonizimin e tekstit të propozimmarrëveshjes, që sipas fjalëve të udhëheqësit të delegacionit kosovar të ekspertëve, Qamil Feka, do të zgjasë gjatë ditës së sotme, në mënyrë që nesër të bëhet parafimi i tij.