Ministri Mujota inspekton asfaltimin e rrugës së Vllahisë
Mitrovicë, 6 tetor - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati dhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, kanë qëndruar të enjten në fshatin Vllahi të Shalës së Bajgorës, ku kanë inspektuar punimet për asfaltimin e rrugës që lidh këtë fshat me Stan Tërgun. E vlerësuan këtë si një projekt tejet të rëndësishëm për këtë rajon malor.
Ministri Mujota, tha sy ky projekt do të lehtësoj jetën e banorëve të fshatrave që lidh kjo rrugë. Poashtu theksoi se ky projekt do të krijoj kushte për zhvillimin e blegtorisë dhe bujqësisë në këto lokalitete.
Ai premtoi se investimet në infrastrukturën rrugore do të vazhdojnë edhe në fshatrat tjera të Shalës. Investimet nuk do të koncentrohen vetëm në rrugën e kombit dhe rrugëve magjistrale, por edhe në rrugët e zonave malore.
Ministri Mujota përgëzoi kryetarin Kastrati për punën e mirë që është duke bërë në Mitrovicë sa i përket krijimit të kushteve më të mira për jetë për të gjithë qytetarët. Qeveria e Republikës së Kosovës do të jetë përkrah kryetarit në projektet në të mirë të qytetarëve.
Në anën tjetër, kryetari Kastrati ka falënderuar ministrin Mujota për mbështetjen e vazhdueshme. Theksoi se projekti për asfaltimin e rrugës së Vllahisë në gjatësi prej 9 kilometrash është e një rëndësie të veçantë për banorët e kësaj ane. Kjo rrugë ka rëndësinë e një rruge magjistrale, meqë lidh shumë fshatra.
Përmendi se në Shalën e Bajgorës, kanë nisur dhe janë duke u realizuar edhe shumë projekte të tjera, të cilat do të motivojnë banorët që mos ta braktisin këtë vend të bukur. Poashtu ai vlerësoi se do të krijohen mundësi të mira për investime në fusha të ndryshme.
Përfaqësuesi i banorëve të Vllahisë, Shesivar Begu, pasi falënderoi qeverinë dhe komunën për realizimin e këtij projekti, tha se kjo ka qenë një ëndërr e tyre. Kemi jetuar me këtë ëndërr dhe tash kjo po bëhet realitet. Jemi shumë të lumtur.
Drejtori për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike në Komunën e Mitrovicës, Rasim Veseli, tha se ky projekt po realizohet me një investim prej 1.800.000 eurosh, që janë siguruar nga Ministria e Infrastrukturës. Ky është një ndër investimet më strategjike që ka bërë Qeveria e Kosovës në rajonin e Shalës së Bajgorës.
Ai tha se kjo rrugë që asfaltohet prej Stan Tërgut deri në Vllahi, lidh edhe fshatrat tjera si Melenicën, Zjaqën etj. Theksoi se përfundimi i asfaltimit të kësaj rruge që është duke u realizuar nga kompania Graniti Com, pritet të kryhet brenda disa ditësh.