23 Dhjetor 2024

Mimoza cakton këshilltarin politik në komisionin për autostradë

Prishtinë, 27 shtator - Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka caktuar këshilltarin politik, Avdi Smajlaj, në komisionin përzgjedhjen e operatorit ekonomik lidhur me shërbimet e këshilltarit të transaksionit për Rrugën R-6, segmenti Prishtinë-Hani i Elezit.

Sipas një dokumenti të siguruar nga gazeta “Zëri”, ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, më 18 shtator 2012 i ka dërguar letër ministrive pjesëmarrëse në Komitetin për Ndërtimin e rrugës R6, nga të cilat ka kërkuar që ta dërgojnë një anëtar në Komision, i cili do të bëjë përzgjedhjen e operatorit ekonomik për këtë aktivitet të prokurimit.

Sipas kërkesës së Mujotës, afati i fundit për dërgimin e emrit të kandidatit ka qenë 20 shtatori 2012.

Ministrja Kusari-Lila megjithatë nuk ka arritur t’i përmbahet afatit të përcaktuar nga Mujota, prandaj më 21 shtator 2012, nëpërmjet zyrtares së protokollit, Dorina Grezda, ka dërguar emrin e Avdi Smajlat si anëtar të komisionit përkatës.

Ndonëse bëhet fjalë për një aktivitet prokurimi, përkatësisht përzgjedhjen e operatorit ekonomik për shërbimet e Këshilltarit të Transaksionit, ministrja në këtë komision ka dërguar një përfaqësues politik.

Për këtë çështje gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje nëpërmjet postës elektronike këshilltares politike të ministres Kusari-Lila, Arta Istrefi.

Pavarësisht premtimeve se do të përgjigjet në pyetjet e gazetës, ajo nuk e ka bërë një gjë të tillë.

”Për momentin jam shumë e zënë, pasi që po e përgatis një komunikatë për media, do të përgjigjem më vonë gjatë ditës”, ka thënë Istrefi nëpërmjet telefonit.

Gazeta “Zëri” ka kontaktuar edhe këshilltarin e ministrit Mujota, Lah Nitaj, duke e pyetur se cilët janë emrat e përfaqësuesve të ministrive në këtë komision, mirëpo as ai nuk ka qenë në gjendje ta japë një përgjigje të tillë.

Përndryshe, ndërtimi i autostradës parashihet të fillojë të ndërtohet vitin e ardhshëm. Ky projekt është prezantuar në vitin 2010. Sipas projektit të prezantuar, autostrada do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, me gjatësi prej 55 kilometrash.

Autostrada do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut, me 2.2 kilometra. Shpejtësia maksimale në autostradë, sipas projektit, do të jetë 120 kilometra në orë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)