Mijëra vetura zyrtare të pa regjistruara
Prishtinë, 31 maj - Në institucionet e Kosovës ekzistojnë mijëra vetura të pa regjistruara dhe të regjistruara në mënyrë false.
Kështu kanë treguar burime të Expressit, brenda Qeverisë. Rreth kësaj çështje, është edhe duke u zhvilluar një hetim nga institucioni i sigurimeve të automjeteve.
Vetura të pa regjistruara, e që qarkullojnë nëpër Kosovë janë gjetur edhe në Policinë e Kosovës. Shumë të tilla ngiten dhe përdoren privatisht edhe nga vetë policët kosovar.
Është një gjendje katastrofë me këto vetura dhe pothuajse në të gjitha institucionet kosovare, përfshi edhe policinë ekzistojnë vetura të pa regjistruara askund e që qarkullojnë nëpër Kosovë, tha ky burim.
Për mënyrën se si kanë hyrë dhe për çfarë arsye janë në këtë gjendje pritet të zbulohen shumë shpejt.
Në anën tjetër drejtuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk dinë asgjë rreth kësaj çështje. Ata thonë se në bazë të dhënave që i kanë, të gjitha automjetet e institucioneve janë të regjistruara.
Me të dhënat që i kemi ne të gjitha automjetet e institucioneve duke përfshirë edhe Policinë e Kosovës, janë të regjistruara me procedurë të rregullt dhe brenda afateve ligjore për regjistrim, thuhet në përgjigjen zyrtare të kësaj ministrie.
Çështja e veturave të pa regjistruara nga institucionet ka qenë problem edhe më i hershëm. Auditorët gjeneral, kanë shfaqur për çdo vit problemet e institucioneve me dokumentacionin e veturave.