24 Dhjetor 2024

MI ndërpret punimet në rrugën lokale në Polac

Prishtinë, 28 korrik - Banorët e Polacit duket se nuk do të bëhen rehat edhe për një kohë me rrugën lokale që kalon nëpër fshat, pasi që ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës i kanë rekomanduar kompanisë nënkontraktuese për asfalt, Papenburg – Adriani, që të mos vazhdojë me asfaltimin e mëtutjeshëm, për shkak të mangësive dhe defekteve që janë gjetur në pjesën e mbetur të trasesë, e përgatitur për asfalt.

Ekspertë të Ministrisë së Infrastrukturës i kanë bërë një kontroll punëve të deritashme të kryera, përfshirë edhe asfaltimin, të enjten, në Polac, dhe me atë rast, në pjesën e paasfaltuar, sipër rrugës rajonale (nga udhëkryqi), e cila rrugë shpie në “Lagjen e xhamisë”, kanë gjetur që shtresa e rërës e vendosur në këtë pjesë të rrugës nuk përkon me standardet dhe me projektin e rrugës.

Sipas ekspertëve të Ministrisë së Infrastrukturës, shtresa e rërës që i paraprin asfaltimit nuk është vendosur sipas standardit (me nr. 31), por është vendosur një shtresë e një lloji mbeturine, e cila nuk është e qëndrueshme. Në fakt, në këtë lloj mbeturine, ekspertët kanë konstatuar se ka më tepër dhe sesa rërë.

Të gjendur në këtë situatë, ekspertët e MI-së kanë urdhëruar kompaninë nënkontraktuese “Papenburg – Adriani” që të mos e asfaltojnë atë pjesë, përderisa kompania që ka bërë trasenë e rrugës, e që është kompania e cila ka fituar tenderin për të dy rrugët, edhe atë rajonale Skenderaj-Vushtrri, nëpër Polac dhe për rrugën lokale nëpër fshat, t’i evitojë defektet.

Kjo rrugë, e cila lidh lagjet “Lagjja e Xhamisë”, “Kerolli”, “Hoti”, “Xani” e “Koca”, sipas projektit është planifikuar të ndërtohet me standarde të larta, ku përfshihen edhe kanalizimi atmosferik dhe trotuari i rrugës.

Aktualisht, në pjesën nga “Kocët” deri te rruga rajonale, ka mbetur të qitet edhe një shtresë e asfaltit, ndërsa është duke u punuar në ndërtimin e trotuarit.

Derisa ishte duke u punuar rruga dhe duke u vendosur shtresa e parë e asfaltit në këtë pjesë të rrugës, punimet i ka përcjellë edhe ministri i Infrastrukturës, Fehmi Mujota, si dhe zyrtarë komunalë të Skenderajt. Këta të fundit janë ngutur të dalin me një komunikatë, me anë të së cilës kanë përgëzuar banorët e Polacit për rrugët.

Sipas kësaj komunikate, “këto dy rrugë të ndërtuara tashmë do të zgjidhin shumicën e problemeve të Polacit, sa i përket infrastrukturës rrugore, ndërkohë që në Polac, komuna e Skenderajt është duke investuar edhe në ujësjellësin e fshatit si dhe ka hartuar tashmë projektin për kanalizimin fekal, në të cilin pritet të investohet ose nga buxheti komunal ose nga donatorët”.

/Zeri/

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)