MI kundër privatizimit të stacionëve të autobusëve
Prishtinë, 31 maj - Ministria e Infrastrukturës (MI) ka organizuar sot konferencën me temën : Koncept dokumenti mbi statusin pronësor të stacioneve të autobusëve në Republikën e Kosovës.
Me qëllim të definimit dhe të zgjedhjës përfundimtare, Ministria e Infrastrukturës e ka përgatitur koncept dokumentin mbi statusin pronësor të stacioneve të autobusëve në Republikën e Kosovës.
Ministria e Infrastrukturës, viteve të fundit ka ndërmarrë një varg aktivitetesh rreth parandalimit të privatizimit të aseteve të stacioneve të autobusëve.
Kjo ministri ka adresuar këtë çështje edhe në ish-Agjensionin e Mirëbesimit si dhe tani në Agjensionin Kosovar të Privatizimit, ku është arsyetuar me argumente të mjaftueshme qëndrimi i MI-së kundër privatizimit stacioneve të autobusëve, duke theksuar edhe përvojat nga vendet e rajonit dhe më gjerë si dhe prespektivën e zhvillimit të transporti rrugor të udhëtarëve.
Në këtë konferencë u diskutua rreth zgjidhjës së statusit të stacioneve të autobusëve në vendin tonë, shumica e diskutuesëve thanë se këto stacione duhet të transformohen nga ndërmarrjet shoqërore në ndërmarrje publike dhe se nuk duhet të bëhet privatizimi i tyre sepse pas privatizimit, ka gjasa që të ndërrohet destinacioni i tyre.
I pranishëm në këtë konferencë, ishte zëvendësministri i MI-së Banush Pacolli dhe këshilltari i ministrit Zenel Kelmendi, sekretari i përgjithshëm i MI-së, Skender Gashi dhe përfaqësues tjerë të kësaj ministrie, pastaj përfaqësues të Zyrës së kryeministrit, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Odës Ekonomike të Kosovës, Agjensisë Kosovare të Privatizimit, përfaqësuesit e stacioneve të autobusëve të vendit tonë, ata të Unionit të Stacioneve të Autobusëve, dhe përfaqësuesi i komunës së Mitrovicës.