MI do të asfaltojë 4 rrugë përmes kredisë nga BERZH-i
Prishtinë, 22 nëntor - Me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës rrugore, Ministria e Infrastrukturës do të financojë katër projekte të rëndësishme rrugore përmes një kredie të marrë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Të katër projektet do të realizohen me standarde të larta, ndërsa ruajtja e brezit rrugor dhe brezit mbrojtës rrugor të këtyre rrugëve dhe e të gjitha rrugëve të tjera nacionale dhe rajonale të Republikës së Kosovës do të bëhet si vijon:
Në bazë të ligjeve: Ligjit për Rrugët Nr.2003/11, neni 26 dhe Ligjit Nr. 03/L-120, për Ndryshimin dhe Plotësimin e ligjit për Rrugët 2003/11, të mos ndërtohet në brezin e rrugës dhe në brezin mbrojtës të rrugës, e cila është:
a) 20 metra nga rrugët nacionale dhe
b) 10 metra nga rrugët rajonale
Segmentet rrugore, të financuara nga Ministria e Infrastrukturës përmes kredisë nga BERZH-i, janë:
1. Zgjerimi i rrugës rajonale R-107, segmenti Piranë, hyrja e qytetit të Prizrenit, me gjatësi 3.00 km, e cila do të zgjerohet nga dy në 4 korsi me ishull ndarës në mes dhe me trotuar;
2. Zgjerimi i rrugës nacionale N2, segmenti Hyrja e qytetit të Ferizajt, me gjatësi 5.60 km (nga Prelezi i Jerlive deri te Fshati i Vjetër), e cila do të zgjerohet nga dy në 4 korsi, me ishull ndarës në mes dhe me trotuar;
3. Rruga nacionale N 25.2, segmenti Hyrja e qytetit të Gjilanit, me gjatësi 3.00 km (nga liqeni deri te qendra e Gjilanit), që do të zgjerohet nga dy në 4 korsi, me ishull ndarës në mes dhe me trotuar, si dhe
4. Rehabilitimi i rrugës nacionale N 25.3, segmenti Kllokot Gjilan, me gjatësi 11.00 km.