23 Dhjetor 2024

MF nënshkruan grant për rrugën Kijevë-Zahaq me Bankën Evropiane për Investime

Prishtinë, 17 janar - Qeveria e Republikës së Kosovës e përfaqësuar nga ministri i Financave Bedri Hamza dhe Banka Evropiane për Investime e përfaqësuar nga Matteo Rivellini, udhëheqës i Divizionit për Slloveni, Kroaci dhe Ballkanin Perëndimor në Bankën Evropiane për Investime (BEI), kanë nënshkruar sot Marrëveshjen Grant për implementimin e projektit të autostradës Prishtinë-Pejë, segmenti Kijevë-Zahaq.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Ministri Hamza theksoi se është gjithmonë kënaqësi kur nënshkruhen marrëveshje për mbështetjen e projekteve të rëndësishme si ky i cili lidhë qytetin e Pejës me kryeqytetin.

Më tutje, ai tha se Banka Evropiane për Investime vazhdon të jetë një ndër partnerët kyç strategjik të Kosovës për realizimin e projekteve të mëdha infrastrukturore, duke shprehur vullnetin e Ministrisë së Financave për të intensifikuar dhe zgjeruar bashkëpunimin aktual edhe në sektorët tjerë.

“Kjo marrëveshje grant kompleton financimin e ndërtimit të autostradës Prishtinë-Pejë, segmentit Kijevë-Zahaq, për të cilin projekt tanimë janë nënshkruar dy marrëveshje kredie me BEI dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Ndërsa Korniza Investive e Ballkanit Perëndimor ka ndihmuar në përgatitjen e studimeve të nevojshme për realizimin e këtij projekti me vlerën prej 3.2 milionë eurove” shtoi Ministri Hamza.

Ai gjithashtu bëri të ditur se Ministria e Financave është duke punuar në vazhdimësi së bashku me donatorë dhe Institucione Financiare Ndërkombëtare për të gjetur financim për realizimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës.          

Udhëheqësi i Divizionit për Slloveninë, Kroacinë dhe Ballkanin Perëndimor në Bankën Evropiane për Investime Matteo Rivellini shprehi edhe një herë gatishmërinë e Bankës për ta mbështetur zhvillimin ekonomik të Kosovës përmes realizimit të projekteve prioritare për vendin.

“Jam i nderuar që sot po nënshkruajmë marrëveshjen e parë të grantit nën “Econimic Resiliance Initiative” në Kosovë. Ky grant në vlerë prej 1 milion euro do të komplimentojë Grantin e BE-së nga Korniza Investuese e Ballkanit Perëndimor (WBIF) dhe do të ofrojë asistencë teknike për të siguruar se autostrada mes Kijevës dhe Zahaqit do të ndërtohet sipas standardeve dhe praktikave më të mira ndërkombëtare. Banka Evropiane për Investime vazhdon të mbështesë projekte të rëndësishme që kanë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik, siç është ky i cili synon të lidhë njerëzit dhe bizneset në Kosovë dhe më gjerë. Mirëpresim zbatimin e suksesshëm të këtij projekti”.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj, theksoi se kjo marrëveshje po na ofron edhe më shumë drejt konkretizimit dhe fillimit të punimeve për të përmbyllur një projekt shumë qenësorë për pjesën e Dukagjinit.

“Ne edhe sot i jemi mirënjohës Bankës Investive Evropiane që si në çdo rast tjetër po e mbështet zhvillimin e projekteve infrastrukturore, poashtu, nuk mundem pa e përmend edhe angazhimin e pandalshëm e të palodhshëm të Ministrit Hamza dhe të stafit të tij që po e bëjnë të mundur në mënyrë profesionale dhe të shpejtë arritjen e këtyre marrëveshjeve me Institucionet Financiare Ndërkombëtare për financimin e projekteve të rëndësishme për qytetarët e Kosovës”.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)