MF nënshkruan garancinë shtetërore për trafikun urban
Ministri Hoti dhe Drejtoresha e BERZH-it sot nënshkruan marrëveshjen për Garanci Shtetërore, e cila garanton kredinë në shumë prej 10 milion eurove, para këto të cilat do ti vihen në dispozicion Ndërmarrjes Publike Komunale Trafiku Urban.
Kjo kredi do të shfrytëzohet për blerjen e 51 autobusëve të ri, të cilët do ti shtohen flotës së Trafikut Urban dhe do ta ndihmojnë ndërmarrjen në ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarët.
Ky investim pritet të të përmirësojë gjendjen financiare të ndërmarrjes me flotën e re dhe moderne, por të njëjtën kohë edhe të reduktojë ndjeshëm ndotjen e ajrit në qytet, marrë parasysh që autobusët do të kenë standardin e emetimit Euro 6.
Ofrimi i Garancisë Shtetërore nga ana e Ministrisë së Financave e mundëson marrjen e kredisë dhe siguron kushte më të volitshme financiare, të cilat përkthehen në periudhë kthimi prej 12 viteve dhe normë interesi prej 1% + Euribor.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ministria e Financave do të procedojë për miratim në Qeveri Projektligjin i cili pastaj dërgohet për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës.