Menaxhmenti i RTK-së mashtron publikun
Prishtinë, 16 korrik - Sindikata e Pavarur e RTK-së ka bërë të ditur se Menaxhmenti i RTK-së, promovoi dje sërish në edicionet e lajmeve produktin e tij SPERK, në kuadër të përpjekjeve për shmangien e vëmëndjes nga keqpërdorimet, keqmenaxhimi dhe problemet në transmetuesin publik, të denoncuara në vazhdimësi nga Sindikata e Pavarur e RTK-së dhe të konstatuara nga raportet e auditimit.
Sipas Sindikates se Pavarur e RTK-së ky produkt i cili në vazhdimësi është përdorur nga drejtuesit aktualë si vegël për arritjen e qëllimeve të tyre personale, u pasqyrua në edicionet e lajmeve, me qëllim të krijimit të hutisë në opinion për ekzistimin e një organizimi sindikal të ri në RTK që gjoja për synim ka mbrojtjen e interesave të punëtorëve.
\"Kjo përpëlitje vjen në kohën kur Kuvendi i Kosovës, si themelues i RTK-së, për të tretën herë radhazi nuk e miratoi raportin vjetor të punës për shkak të vërejtjeve të shumta rreth keqmenaxhimit të parasë publike, jo transparencës, krijimit të borxheve milionëshe dhe shkeljeve ligjore\".
\"I ashtuquajturi Kuvend i grupimit të disa personave që kryesisht janë stafi i ngushtë menaxherial, këshilltarë, persona që janë kontrabanduar pa konkurs në RTK dhe censurues që janë denoncuar nga kolegët e tyre për presion dhe shantazh, u pasqyrua dje si lajm kryesor në uebfaqen e RTK-së por edhe në edicionet lajmeve në TV përderisa ky menaxhment kishte censuruar Kuvendin Zgjedhor të Sindikatës së Pavarur të RTK-së që përbëhet nga mbi 400 anëtarë duke mos i dhënë as një sekond hapësirë në edicionet e lajmeve\", thekson sipas Sindikata e Pavarur e RTK-së.
Kjo qasje sipas sindikates selektive dhe diskriminuese dëshmon tendencën e këtij menaxhmenti për shtypjen e zërit sindikal në mbrojtje të interesave të punëtorëve dhe promovimin e produkteve dhe figurave të cilat siç ka ndodhë edhe në të kaluarën e afërt, i kishte shpërblyer me poste menaxheriale dhe privilegje në këmbim të përdorimit për qëllimet personale.
Sindikata e Pavarur e RTK-së do të vazhdojë të denoncojë keqpërdorimet,keqmenaxhimin dhe parregullsitë në RTK, më qëllim të mbrojtjes së interesit të punëtorëve, të ardhmes së tyre dhe të ndalimit të degradimit të mëtejmë të këtij institucioni ky që mbahet nga taksat e qytetarëve të Kosovës.