Më 27 nëntor do të përurohet 60 kilometërshi i autostradës
Prishtinë, 27 janar - Ministri i Infratsrukturës, Fehmi Mujota, priti sot në një takim, ministrin e Transporteve dhe dhe Punëve Publike,të Shqipërisë, Sokol Olldashi.
Në këtë takim, kryesisht u bisedua, për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, konkretisht për vënien në zbatim të marrëveshjës së nënshkruar më parë ndërmjet dy vendeve.
Pas këtij takimi, minstri Mujota në konferencën për gazetarë, pohoi: Pata kënaqësinë që ta takoj ministrin Olldashi në kuadër të bashkëpunimit tonë të rregullt dhe në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm për politikat e përbashkëta në fushën e transporteve.
Ministri Mujota gjithashtu theksoi se: Gjatë këtij takimi e informova ministrin Olldashi që ndërtimi i Autostradës Vërmicë-Merdar po realizohet sipas planit të paraparë dhe me dinamikën e planifikuar. Andaj, më 27 nëntor të këtij viti do të jemi së bashku në përurimin e 60 kilometërshit të kësaj autostrade.
Gjatë këtij takimi, ministri Mujota dhe Olldashi, u dakorduan që në kuadër të politikave të transportit ajror, të bëhen përpjekjet maksimale që të rikthejmë linjën Prishtinë-Tiranë.
Kemi biseduar edhe me një varg çështjesh që kanë të bëjnë me vijën e lartë ajrore, e që deri më tani janë kompetencë e NATO-s. Për këtë dy qeveritë e vendeve tona janë duke u përpjekur që të bëjnë më të mirën në interes të Kosovës vlerësoi ministri Mujota.
Përkitazi me zbatimin e marrëveshjës së nënshkruar kohë më parë nga Ministri Mujota dhe homologu i tij Olldashi, ministri Mujota potencoi: Kjo marrëveshje e nënshkruar kohë më parë me ministrin Olldashi po zbatohet me përpikëri, dhe tani u dakorduam që komisionet tona të përbashkëta të bëjnë punën e vazhdueshme për të parë të gjitha çështjet që kanë të bëjmë em këtë marrëveshje dhe për të ndërmarrë veprime më të shpejta, andaj e falenderoj ministrin Olldashi dhe qeverinë e Shqipërisë, për atë që po e bëjnë që të jemi sa më të koordinuar në politikat tona në transportin e të gjitha llojeve.
Ndërsa Sokol Olldashi, ministër i Transporteve dhe Punëve Publike, të Shqipërisë, tha se në njëfarë mënyre takimet tona janë bërë frekuente për çfarëdo problemi që paraqitet në zhvillimin e fushave që ne i mbulojmë.
Me ministrinë e Infrastrukturës së Kosovës, kemi kontakte të vazhdueshme qoftë në nivelin teknik qoftë në nivelin politik shtoi Olldashi.
Olldashi poashtu theksoi : Në këtë takim poashtu biseduam edhe për çështjet e zhvillimit të infrastrukturës dhe të koordinimit që ne duhet të bëjmë, për të nxitur sa më shumë shkëmbimet në mes të Shqiprisë dhe Kosovës.