25 Dhjetor 2024

Mbi 7 milionë euro për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror

Albulena S. MAVRAJ

Prishtinë. 16 dhjetor - Ministria e Infrastrukturës (MI) ka bërë përgatitjet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror dhe se shuma e kontraktuar e mirëmbajtjes për këtë sezon është 7,475,424.80 euro.

Këtë e ka konfirmuar për gazetën “Epoka e re” zyrtari për Informim me Publikun në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), Mustafë Statovci. Ndërkaq, sa i përket sigurimit të kripës, ai ka bërë me dije se është shpallur operatori fitues dhe gjatë ditëve në vijim pritet nënshkrimi i kontratës.

“Ministria e Infrastrukturës kryesisht i ka bërë përgatitjet e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit të dimrit, ndërsa sa i përket sigurimit të kripës është shpallur operatori fitues (‘Pagarusha’ nga Prizreni), me të cilin gjatë ditëve të ardhshme do të nënshkruhet kontrata”, ka thënë ai, duke shtuar se mirëmbajtja dimërore ka filluar më 15 nëntor të muajit të kaluar.

Ndërsa sa i përket procedurës së përzgjedhjes së kompanive fituese për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror, Statovci ka theksuar se, përpos në Rajonin e Gjakovës, ku procedurat e përzgjedhjes së kontraktorit janë në proces, në rajonet e tjera këto procedura janë të caktuara.

“Kompanitë që kanë fituar kontratën e mirëmbajtjes nga Ministria e Infrastrukturës, duke përfshirë edhe mirëmbajtjen dimërore, janë si vijon: Lot ‘A’ - kompania ‘Arbotek’ dhe Lot ‘B’ - kompania ‘Integral’. Në rajonin e Mitrovicës, Lot ‘A’ - kompania ‘Alkoimpex’ (me aneks kontratë, derisa të jepet kontrata e re dhe Lot ‘B’ - kompania ‘Jasen’. Në atë të Pejës - kompania ‘Graniti’, në rajonin e Gjakovës - procedurat e përzgjedhjes së kontraktorit janë në proces. Në rajonin e Prizrenit - ‘Drini Company’, në rajonin e Ferizajt kompania ‘Domastion Projekt’, ‘Eurokos’, ‘Unicom’ dhe ‘Urban’ si dhe atë të Gjilanit - kompania ‘Tali’ (me aneks kontratë), procedurat e përzgjedhjes së kontraktorit janë në proces”, ka bërë me dije ai.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka deklaruar se Policia i ka bërë përgatitjet e duhura dhe se në kuadër të planit strategjik zhvillimor, ka përgatitur edhe plane të veçanta për sezonin dimëror.

“Policia e Kosovës i ka bërë përgatitjet e duhura dhe se në kuadër të planit strategjik zhvillimor ka përgatitur plane të veçanta për sezonin dimëror. Në këtë rast e ka urdhrin operativ për sezonin dimëror, i cili parasheh ndërmarrjen e masave shtesë nga ana zyrtare policore dhe të Drejtorisë së Komunikacionit Rrugor, e cila merret me caktimin e zyrtarëve nëpër rajone të caktuara e kryesisht në pikat sensitive, që kërkojnë një numër më të madh të zyrtarëve policorë”, ka deklaruar Kelani.

Kelani ka shtuar se, përveç këtyre planeve, Polica e Kosovës, me qëllim të sensibilizimit të opinionit të gjerë, ka realizuar edhe spote televizive.

“Kemi realizuar dhe spote televizive me qëllim të sensibilizimit të opinionit të gjerë. Spoti ka të bëjë kryesisht me përshtatjen e kushteve të rrugës, ngasjes së automjetit duke iu përshtatur kushteve atmosferike në rrugë si dhe posedimin e pajisjeve dimërore”, ka thënë ai, duke shtuar se në rast të mosrespektimin të rregullave të komunikacionit, Policia e Kosovës do të marrë masa konkrete në bazë të ligjit mbi komunikacionin rrugor.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)