Mbi 100 milionë euro nga telekomunikimet
Prishtinë, 14 nëntor - Të hyrat nga tregu i telekomunikimeve në gjashtë muajt e parë të vitit 2013 kapin shifrën prej 100 milionë e 540 mijë eurosh, është thënë në publikimin Pasqyrë e tregut të komunikimeve elektronike të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP).
Sipas ARKEP-së, nga këto të hyra 49 milionë euro janë në tremujorin e parë, ndërsa 51.5 milionë euro në tremujorin e dytë. Të hyra nga telefonia fikse kapin shifrën prej 8.6 milionë eurosh, nga telefonia mobile 81 milionë euro, linjat me qira 297 mijë euro dhe nga interneti 10.5 milionë euro.
Ndërsa investimet janë bërë 20.9 milionë euro. Numri total i përdoruesve të telefonisë mobile në fund të tremujorit të dytë ka arritur në 163,317, që shënon rritje prej 10.7 %, ose 188,076 përdorues, krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërsa krahasuar me tremujorin paraprak, ka rritje prej 1.8 % (ose 30,484 përdorues).
Sipas publikimit të ARKEP-së, trendi i numrit të përdoruesve të telefonisë mobile vazhdon me ritëm rritës. Mirëpo, për shkak të vlerësimit të ri të popullsisë në vitin 2012 (rritja prej 1,739,825 në 1,815,606), penetrimi në TM2-2013 ka shënuar rritje jo të ndjeshme në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar TM2-2012 prej 6.14 %, ndërsa penetrimi në raport me TM1-2013 shënon rënie të përgjithshme prej 2.41 %.
Përdoruesit e telefonisë fikse deri në TM2-2013 kanë shënuar 81,341, që shënon një rënie në numrin e përdoruesve në krahasim me TM1-2013 prej 1,294 përdoruesish apo 1.57%, ndërsa norma e penetrimit për banor të linjave të telefonisë fikse deri në fund të TM2-2013 është 4.48 %, e që kjo përqindje, e cila shënon një rënie të vazhdueshme krahasuar me TM1-2013 prej 5.7% ose me TM2-2012 prej 8.4%.
Norma e penetrimit të telefonisë fikse në Kosovë është shumë e ulët krahasuar me vendet e rajonit, sidomos me shtetet e BE-së, në të cilat penetrimi sillet nga 10 % në rreth 40 %.