Mbi 1 milion e 600 mijë pasagjerë shfrytëzuan ANP-në
Albulena S. MAVRAJ
Prishtinë, 9 janar - Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) Adem Jashari ka mbyllur vitin 2013 me ngritje të numrit të udhëtarëve prej 6.6 % në gjithsejtë 1,628,678 udhëtarë të procesuar. ANP-ja në vitin 2013, sipas statistikave që ka mbledhur operatori Limak Kosovo International Airport (LKIA), ka procesuar 101,544 udhëtarë më shumë se gjatë vitit 2012.
Sipas statistikave të mbledhura nga operatori i (LKIA) të raportuara në Autoritetin e Aviacionit Civil (AAC), është bërë me dije se muaji gusht ka pasur numrin më të lartë të udhëtarëve prej 221,196, i pasuar nga korriku me 198,443, ndërsa më i ulëti ishte dhjetori me 91,518 udhëtarë.
Rritja gjatë shkurtit dhe marsit ishte 27 % në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit paraprak, por dhjetori kishte rënie prej 26 % si rezultat i ndërprerjes së fluturimeve nga Belle Air Europe. Gjatë vitit në Prishtinë janë procesuar 7,305 fluturime, që përfaqëson një ngritje prej 5.15 %. U dalluan korriku dhe gushti me 856 dhe 902 fluturime respektivisht. Në anën tjetër dhjetori kishte më së paku fluturime - 417, është thënë në raportin e publikuar.
Ndër destinacionet dallohen Cyrihu me 20.7 % të trafikut të përgjithshëm, Dyseldorfi me 9.4 %, Bazeli/Mulhouse me 8.1 %, Mynheni me 8.0 %, Stambolli (Ataturk) 7.9 %, Shtutgarti 7.5 % dhe Vjena 6.2 %. Ndër shtetet, këtë herë prin Zvicra me 34.5 %, pastaj Gjermania me 32.5 %, Turqia 14.6 %, Austria 6.2 %, Italia 4.3 % dhe Sllovenia 2.4 %. Prej kompanive ajrore, bindshëm prin Belle Air Europe me 275,814 udhëtarë, e ndjekur nga Germanwings me 156,853, Adria Airways 148,406, Turkish Airlines 136,632, Darwin Airline 132,685, Germania 129,546, Easy Jet 121,708, Edelweiss 119,212, Austrian 99,246, Belair 98,183, Pegasus Airlines 85,139 etj, është thënë në raport.(Epoka e re)