Mbahet takimi për zbatimin e marrëveshjes për telekomunikacion
Bruksel, 16 janar - Delegacioni i kryesuar nga Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri njëherësh udhëheqëse për zbatimin e marrëveshjes për normalizim mori pjesë në takimin e parë të grupit për zbatimin e marrëveshjes për telekomunikacionin të arritur në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e BE-së dhe ku u diskutua Drafti i Planit të Aksionit i prezantuar nga ana Bashkimit Evropian.
Në kuadër të diskutimeve për zbatimin e marrëveshjes për telekomunikacionin, diskutimi është përqendruar rreth përcaktimit të një afati optimal për marrjen e kodit telefonik shtetëror për Republikën e Kosovës duke pasur parasysh procedurat e ITU-së dhe natyrisht se edhe Bashkimi Evropian në këtë drejtim do të jap kontributin e vetë.
Poashtu në këtë kontekst është biseduar edhe për hapat që të duhet ndërmarrë për periudhën e migrimit që duhet të ndodh pas marrjes së kodit tre shifror dhe unik shtetëror në Republikën e Kosovës.
Sipas Zëvendëskryeministres Tahiri, ky plan i aksionit pasi të aprovohet do të krijoj mundësinë e nënshkrimit edhe të marrëveshjes në mes të Autoriteteve Rregullatore të të dyja shteteve për ta rregulluar, poashtu se është biseduar edhe për mënyrat e bashkëpunimit në mes të operatorëve mobil për të arritur deri të nënshkrimi i marrëveshjes së interkonjeksionit dhe romingut e cila në fakt do të jetë edhe në dobi të qytetarëve dhe të uljes së tarifave telefonike.
Palët kanë diskutuar edhe për modalitetet rreth marrëveshjes e cila rregullon një herë e përgjithmonë edhe problemin e koordinimit të TV dhe Radio frekuencave si dhe vendosen afatet kohore për ndërprerjen e ndërhyrjeve ilegale në territorin e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë në këtë sektor.
Në fund, znj. Tahiri tha se është folur edhe për telefoninë fikse dhe atë mobile me ç` rast u diskutuan afatet dhe obligimet që kanë palët nga marrëveshja për telekomunikacionin.
Delegacioni i kryesuar nga Zëvendëskryeministrja Tahiri ishte në përbërje të Gazmir Raci, Këshilltar politik i zëvendëskryeministres Edita Tahiri dhe koordinator politik për zbatimin e marrëveshjes për telekomunikacionin, Ekrem Hoxha, Kryetar i Bordit i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës (ARKEP), Lulzim Imeri, udhëheqës i komunikimeve elektronike në ARKEP, Nazim Rahimi, udhëheqës për sektorin e postës në ARKEP, Ejup Qerimi, Kryeshef Ekzekutiv i Post Telekomunikacionit të Kosovës, Shpetim Qerimi, Menaxher nga Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës si dhe Sejdi Hoxha, Kryeshef Ekzekutiv i Postës së Kosovës.