15 Janar 2025

Mbahet takimi për telekomin

Bruksel, 20 maj - Me ftesë të Bashkimit Evropian në Bruksel janë zhvilluar bisedimet për zbatimin e marrëveshjes për telekomin, ku fokusi ishte tek dakordimi për çështjet që kanë të bëjnë me planin për veprim ku parashihen obligimet dhe afatet për palët, sipas kësaj marrëveshje.
 
Ministrja për Dialogun e Qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, e cila kryeson me delegacionin e Kosovës, deklaroi se në këtë raund të bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së është shënuar përparim në përafrimin e qëndrimeve mes palëve në çështjet që janë të lidhura me  planin për veprim.
 
“Në këtë kuadër ka pasur dakordime për disa çështje të rëndësishme si dhe jemi pajtuar që të përshpejtohet ky proces duke precizuar afatet kohore për obligimet që i ka secila palë nga ky proces. Në këtë kuadër, Kosova do ta merr kodin telefonik ndërkombëtar 383 nga ITU, ndërsa kërkesën në emër të Republikës së Kosovës do ta bëj Austria.

Marrja e kodit telefonik për Kosovën ka rëndësi të madhe sepse Kosova do ketë një kod të vetëm siç e ka çdo shtet, për dallim nga situata e tashme kur në përdorim janë disa kode”, ka theksuar ministrja Tahiri, duke shtuar se ka pajtim që edhe operatorët e dy shteteve të bashkëpunojnë në fushën e roamingut me qëllim të zbritjes së tarifave për qytetarët dhe që Kosova të përfshihet në nismën rajonale për roamingun.

Më tutje ministrja Tahiri, theksoi se pjesë e marrëveshjes është një lejim i përkohshëm për një kompani të re të telefonisë në Kosovë, e cila do ketë fushëveprim të kufizuar. Nuk bëhet fjalë për operator të ri të telefonisë meqë ai merret në Kosovë vetëm përmes procedurave tenderuese ndërkombëtare.

Me dakordimin final të këtij plani për zbatim që pritet të përmbyllet në takimin e radhës do të shuhen operatorët ilegal që kanë vepruar në Kosovë në fushën e telekomunikacionit.

Ministrja gjithashtu tha se u pajtuam që gjatë këtij muaji sërish të zhvillohen takime në Bruksel në mënyrë që të precizojmë secilin detaj të planit të zbatimit në lidhje me telekomin, si dhe pas rrumbullakimit të këtij procesi, ky dokument të paraqitet për trajtim dhe aprovim në nivelin e kryeministrave të dy shteteve dhe PL/BE-së Mogherini, që pritet të mbahet së shpejti.

Delegacioni i Republikës së Kosovës kryesohej nga ministrja Edita Tahiri dhe në përbërje ishin: Blerand Stavileci, ministër i Zhvillimit Ekonomik, Valon Murtezaj, këshilltar politik i kryeministrit Mustafa,  Gazmir Raci, koordinator politik për telekomin, Ekrem Hoxha, koordinator i grupit të ekspertëve dhe Kryetar i Bordit i ARKEP-it, Ilir Imeri, Shef i Departamentit të Komunikimeve Elektronike në ARKEP, Ardrit Gashi, Këshilltar politik i ministrit Stavileci, Rexhe Gjobalaj, Kryetar i Bordit i PTK, Agron Mustafa, Drejtor menaxhues i PTK-së, Mehdi Latifaj, Drejtor teknik në PTK si dhe Ambasadorja e Kosovës në Belgjikë, Mimoza Ahmetaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)