Mbahet konferenca rajonale për financimin e RTK-së
Prishtinë, 27 prill - Misioni i OSBE-së në bashkëpunim me Radio Televizionin e Kosovës (RTK) do të organizojnë sot një konferencë rajonale me temë financimin e transmetuesit publik.
Konferenca mbledh përfaqësues të lartë të transmetuesve publik nga rajoni, anëtarë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të shoqërisë civile, të Unionit Evropian të Transmetuesve (EBU), redaktorë dhe gazetarë.
Pjesëmarrësit do ti identifikojnë praktikat më të mira për hartimin politikave të ardhshme të financimit të qëndrueshëm të RTK-së, me synim nxjerrjen e rekomandimeve konkrete në këtë drejtim.
Konferencës do ti drejtohen me një fjalë rasti Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger; Shefi i sektorit politik, ekonomik dhe integrimit evropian të Zyrës së BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi; Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Isabelle Servoz-Gallucci; Kryesuesi i Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, Zenun Pajaziti, dhe Kryetari i Bordit të RTK-së, Ismet Bexheti.