Mbahet edicioni i gjashtë i garave me biçikleta 'Siguria në rrugë'
Ky aktivitet edukativo mësimor në vendin tonë zhvillohet nga Kolegji i Shkencave te Aplikuara Teknike “Tempulli” dhe Asociacioni Kosovar i Motorizimit “AMRKS” në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrinë e Infrastrukturës dhe me përkrahjen nga Forumi i Kosovës për Siguri në Rrugë dhe Policia e Kosovës.
Aktivitetet në kuadër të Rivistës shkollore “Siguria në rrugë” janë forma e vetme zyrtare e garave me biçikleta në Republikën e Kosovës. Këto gara zhvillohen me nxënës të gjitha niveleve të shkollimit dhe me shkolla nga të gjitha komunat e vendit.
Shkollat pjesëmarrëse sikurse më parë janë përzgjedhur nga MASHT-i dhe secila shkollë do të përfaqësohet me nga tre nxënës nga klasat 6,7 dhe 8.
Nxënësit do të garojnë në garat me biçikleta ata do të tregojnë njohuritë e tyre në njohjen e shenjave dhe rregullave të trafikut përmes shkathtësive teknike në ngasjen e biçikletës.
Pas analizimit të rezultateve të nxënësve do të shpallen edhe kampionët e Kosovës në Edicionin e gjashtë të Rivistës shkollore "Siguria në rrugë".
Zhvillimi i aktiviteteve të tilla bëhet në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara me MASHT-in, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Policinë e Kosovës.
Këto aktivitetet zhvillohen në kuadër të Planit të veprimit të përbashkët në rritjen e sigurisë në rrugë dhe janë kërkesë edhe e planit global për dekadën e veprimit 2011-2020 të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Përveç garave me biçikleta në agjendën e këtij manifestimi është paraparë edhe një hapësirë për aktivitete argëtuese për publikun.
Aktivitetet me nxënës kanë filluar nga pranvera e vitit 2013 dhe zhvillohen çdo vit rregullisht.
Garat Republikane me biçikleta “Siguria në Rrugë” mbahen sot në Sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.