Mashtrimi me kodin telefonik ndërkombëtar të Kosovës
Prishtinë, 8 shtator - Rruga e Kosovës për t\'u pajisur me kod ndërkombëtar të telefonisë është aplikimi për anëtarësim në International Telecomunication Union (ITU) në Gjenevë. E kjo rrugë sipas Vetëvendosjes nuk kalon as nga Beogradi por as nga Vjena.
ITU është një agjenci e OKB-së, siç është dhe UNESCO. Procedura për pajisje me kod ndërkombëtar fillon me aplikimin për anëtarësim në ITU.
Ndonëse nuk është ende anëtare e OKB-së, Kosova ka të drejtë të aplikojë dhe të pajiset me kod ndërkombëtar, mbështetur në Nenin 2, pika c, të Kushtetutës së ITU. Ka shumë raste të shteteve që nuk janë anëtare të OKB të cilat tashmë janë anëtare të ITU dhe janë pajisur me kod.
Këtë fakt në mënyrë të përsëritur e kanë vënë në pah ekspertët e kësaj fushe kurdo që u është dhënë rasti si dhe e ka theksuar për vite me radhë Lëvizja Vetëvendosje!.
Kështu që sipas Vetëvendosjes negociatorët e Brukselit, Kryeministri Mustafa, Ministri i Jashtëm Thaçi dhe Ministrja Tahiri dhe ministritë përkatëse nuk mund të thonë se nuk e kanë ditur. E kanë ditur mirë, por arsyeja pse e kanë futur kodin ndërkombëtar të telefonisë së Kosovës në negociata me Serbinë është maskimi i asaj që tani doli haptazi dhe publikisht, zgjerimi i operatorit të Serbisë në Kosovë. Kjo nënkupton se Serbisë do ti jepen resurse të Kosovës, pra sovranitet.
Austria mund të aplikojë për resurse plotësuese numerike të vetat me çfarëdo preteksti por ato resurse dhe ai kod që do të përftohej në këtë mënyrë do të jenë të Austrisë e jo të Kosovës. Kjo sepse kodet nuk janë as të transferueshme e as te tregtueshme.
Pra, me një kod që pritet të marrë Austria nuk do të zgjidhej asnjë problem që aktualisht ka Kosova për shkak të mungesës së kodit të vet. Kodi telefonik ndërkombëtar është çështje sovraniteti shtetëror.
Atë që ka fituar Kosova me këtë pjesë të marrëveshjes është degradimi i mëtutjeshëm i tregut të telekomunikacionit, pasuri publike tepër e çmuar por e shterrshme, dhe pranimin e sovranitetit të Serbisë në Kosovë.
Prandaj edhe kjo marrëveshje do të kundërshtohet më të gjitha mjetet nga Lëvizja Vetëvendosje!.