Marrëveshje aviacioni ndërmjet Turqisë dhe BE-së
Ankara, 10 qershor - Janë në prag të fillimit negociatat për një marrëveshje të gjithanshme në fushën e aviacionit civil ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Turqisë, e cila ka hyrë tashmë në mesin e vendeve me trafikun më të lartë të pasagjerëve në sektorin e aviacionit.
Mes arsyeve më të rëndësishme përse kërkohet të bëhet një marrëveshje në shkallë evropiane me Turqinë renditet jo vetëm fakti që Turqia është një ndër aktorët kryesorë rajonalë në fushën e aviacionit civil, por edhe se ajo vlerësohet si një nga tregjet e aviacionit më dinamike, më strategjike dhe me rritjen më të shpejtë në Evropë.
Nëse marrëveshja arrihet, sektori i aviacionit në tërësi do të ofrojë shanse të reja punësimi, linja fluturimesh të reja dhe çmime më të mira për pasagjerët.