Mark Krasniqi dhe Pajazit Nushi në pulla postare
Prishtinë, 13 dhjetor - Në kuadër të tematikës ’’Personalitete të shquara”, Posta e Kosovës ka emetuar të mërkurën dy pulla postare me imazhet e akademikëve Mark Krasniqi dhe Pajazit Nushi.
Mark Krasniqi u lind në fshatin Gllaviçicë (Shën Gjon) afër Pejës më 19 tetor 1920. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, shkollimin e mesëm në Prizren, ndërkaq studimet për letërsinë në Universitetin e Padovës (Itali), si dhe për gjeografi e etnografi në Universitetin e Beogradit.
Karrierën e filloi si gazetar dhe pastaj redaktor i gazetës “Rilindja”. Ka qenë prodekan dhe dekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik. Ishte nënkryetar e kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (që nga viti 1993).
Ka botuar libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish nga serbo-kroatishtja, sllovenishtja e maqedonishtja në gjuhën shqipe. Vdiq në Prishtinë, në vitin 2015.
Pajazit Nushi u lind më 8 janar të vitit 1933 në Gjakovë. Në vendlindje kreu shkollën fillore dhe shkollën normale, ndërkaq studimet i kreu në Fakultetin Filozofik, Katedra e Psikologjisë Eksperimentale të Universitetit të Beogradit. Disertacionin e doktoratës e mbrojti në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës.
Aktiviteti profesional dhe shkencor i Pajazit Nushit shtrihej në fushat studimore të psikologjisë së përgjithshme, terminologjisë së psikologjisë, psikologjisë pedagogjike, etnopsikologjisë dhe metodologjisë hulumtuese të psikologjisë. Ka botuar trajtesa të veçanta shkencore dhe artikuj nga fusha e psikologjisë sociale, e sociologjisë, leksikologjisë shqipe, të psikologjisë së religjionit. Vdiq në Prishtinë, në vitin 2015.