Malaysia Airlines drejt falimentimit
Kualampur, 20 korrik - Aksionet e Malaysia Airlines ranë me 11 % pas rrëzimit të avionit MH17 në Ukrainë. Disa tregje aziatike gjithashtu u mbyllën me humbje nga frika se rrëzimi i avionit mund të rriste tensionin mes perëndimit, Rusisë dhe Ukrainës.
Kjo është katastrofa e dytë që e godet kompaninë ajrore këtë vit. Hera e parë ishte në mars, me zhdukjen misterioze të MH 370. Pas dy tragjedive, mbi të ardhmen e kompanisë ngrihen pikëpyetje të mëdha.
Ndonëse mes dy ngjarjeve nuk ka lidhje, nuk kishte ndodhur kurrë më parë në histori që një kompanie ajrore t`i rrëzoheshin dy avionë brenda pak muajsh. Kompania po humbet para prej disa vitesh dhe aksionet e saj kanë rënë më shumë se 40 % në 9 muajt e fundit. Kompania shtetërore, Khazahan Nasional, aksionerja më e madhe e Malaysia, po sheh mundësinë që ta privatizojë atë.
Ajo ka investuar më shumë se 1 miliardë dollarë vitet e fundit dhe së fundmi kishte njoftuar se kishte planifikuar ristrukturimin e saj. Ekspertët mendojnë se pa investime të konsiderueshme, me 2 tragjedi brenda pak kohësh, kompania nuk do të mbijetojë. Besueshmëria e saj ka rënë në pikiatë, ndonëse ajo nuk ka përgjegjësi në dy ngjarjet.