Makolli kërkoi lehtësimin e procedurave të kalimit të udhtarëve
Prishtinë, 5 korrik - Ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli, qëndoi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, Adem Jashari ku zhvilloi një takim me drejtorin e ANP, Ferda Yakar, ku u njoftua për së afërmi me përgatitjet që ANP i ka bërë në pritje të fluksit të shtuar të bashkatdhetarëve që vijnë në këtë periudhë në Kosovë për pushime verore.
Ministri Makolli gjatë takimeve në ANP u interesua për koordinimin e veprimeve në mes stafit të aeroportit, policisë kufitare dhe doganave, në veçanti në shtimin e kapaciteteve në lehtësimin e procedurave të qarkullimit të udhtarëve që vijnë nga diaspora.
Ministria e Diasporës nuk dyshon në punën e mirë të menaxhmentit dhe stafit të aeroportit në këtë periudhë kur ka shtim të fluksit të bashkatdhetarëve tanë që vijnë në shtëpitë e tyre në Kosovë, por jemi të interesuar që mërgimtarëve tanë tu lehtësohen sa më shumë procedurat e kontrollimit të pasaportave dhe procedurat e tjera të nevojshme të kalimit në aeroport. Ne kërkojmë trajtim sa më korrekt të mërgimtarëve tanë që vijnë në shtëpitë e tyre, tha me këtë rast, ministri i Diasporës i Republikës së Kosovës, Ibrahim Makolli.
Drejtori i ANP-së Adem Jashari, Ferda Yakar, e njoftoi ministrin Makolli me përgatitjet e aeroportit në këtë kohë të pushimeve verore, kur edhe ka shtim të hyrje-daljeve të udhëtarëve në ANP. Sipas z.Yakar, ANP ka bërë shtim të kapacitetit të sigurisë në fushën që i takon aeroportit, si dhe njoftoi për koordinimin e punëve mes ANP, policisë kufitare dhe shërbimit doganor në lehtësimin e procedurave të hyrje-daljes në ANP.
Ministri Makolli, u interesua dhe pa nga afër masat që policia kufitare dhe doganat i kanë ndërmarr në përshpejtimin e procedurave të kontrollimit të pasaportave dhe bagazhit të mërgimtarëve tanë që vijnë në vendlindje.
Vizita e ministrit të Diasporës, Ibrahim Makolli në ANP, Adem Jashari, u bë në vazhdën e vizitave që ai po u bënë dhe do tu bëjë në ditët në vijim pikave kufitare për të parë masat e mobilizimit të organeve gjegjëse në lehtësimin e procedurave kufitare për bashkatdhetarët tanë që vijnë në Kosovë nga diaspora në këtë sezonë verore.