23 Dhjetor 2024

Makina pa shoferë në rrugët e SHBA-së

Florida, 8 janar - Njerëzit në disa shtete amerikane mund të befasohen kur të shohin makinat pa shoferë në rrugët e qyteteve të tyre.

Makinat eksperimentale pa shoferë tani janë të ligjshme në Florida, Nevada dhe në Kaliforni.

Kompania teknologjike Google ka një numër të madh makinash pa shoferë. Në gusht, ato kanë regjistruar 480 mijë kilometra në rrugë.

Edhe prodhuesit kryesorë të makinave në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë po punojnë për krijimin e teknologjisë për makinat e automatizuara.

Volvo po bën prova në rrugë me makina të këtij lloji dhe thotë se ka në plan të shesë makina pa shoferë në vitin 2020.

Në shtator, guvernatori i Kalifornisë Jerry Brown nënshkroi një projekt-ligj për të lejuar lëvizjen e makinave pa shoferë në rrugët e shtetit të tij.

“Sot jemi duke parë se si makinat pa shoferë po e bëjnë realitet botën fantastiko shkencore”.

Teknologjia për këto makina përfshin kamera, radarë dhe ndjesorë, që ndjekin lëvizjet.

Sistemet janë përmirësuar përmes konkurseve të sponsorizuar nga Agjencia për Studime të Avancuara në fushën e Mbrojtjes ose DARPA.

Richard Mason, një inxhinier i Korporatës Rand, ndihmoi në projektimin e makinave për konkurset e agjencisë DARPA-s mes viteve 2004 dhe 2007.

“Çdo dy vjet, makinat që ktheheshin nga konkurset janë mbushur 10 herë me shumë me të dhëna se në konkurset e mëparshme. Pas katër vitesh, ato janë furnizuar 100 herë më shumë me të dhëna se më parë. Ato gjithashtu kushtojnë edhe më shumë”.

Vizitorët e panairit të fundit të makinave në Los Anxhelos panë një pasqyrim të vogël të së ardhmes, edhe pse këto makina kanë nevojë për një shofer.

Makinat e vogla si kjo makinë e kompanisë Mitsubishi përdorin më pak karburant dhe tiparet e reja elektronike i kanë bërë më të sigurta makinat e tipit Honda, thotë Angie Nucci, përfaqësuese e kompanisë Honda në Amerikë.

“Një kamera që është instaluar në pasqyrën e anës së pasagjerit të ndihmon të ndryshosh i sigurtë korsitë”.

Karakteristika të tjera përfshijnë sigurinë e sistemeve paralajmëruese të goditjes të instaluara para dhe në anë të makinës.

Këto sisteme i ndihmojnë shoferët, por nuk i zëvendësojnë ata. Kuratorja Leslie Kendall e cila punon në Muzeun e Makinave Petersen thotë se makinat pa shofer do t’i bëjnë më të sigurta autostradat.

“Duke hequr individët nga sistemi i transportit, ka të ngjarë që të eliminohen edhe mundësitë për aksidente”.

Por në fillim konsumatorët nuk do të jenë të gatshëm të heqin dorë nga kontrolli i makinave të tyre.

“Do të marrë kohë deri sa ata ta kuptojnë se teknologjia është vërtetë më e besueshme, por së pari teknologjia do të duhet ta vërtetojë këtë”.

Richard Mason thotë se teknologjia tashmë po funksionon dhe sfida më e madhe është ulja e kostos për makinat pa shofer nga qindra mijëra dollarë në diçka më të përballueshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)