Majlinda Kelmendi në pullë postare
Prishtinë,24 korrik - Filatelia e Postës së Kosovës ka lëshuar në qarkullim postar emisionin e jashtëzakonshëm të pullave postare me titull Majlinda Kelmendi në Olimpiadë 2012, duke shënuar suksesin e madh të sportistes kosovare dhe të Republikës së Kosovës edhe në fushën e sportit.
Edhe përkundër vështirësive të mëdha, Majlinda Kelmendi është shembulli më i mirë se vetëm me punë dhe përkushtim maksimal, mund të shënohen rezultatet kulminante në sfera të ndryshme të sportit dhe jetës.
Nën mbikëqyrjen e trajnerit Driton Kukaj dhe nën patronatin e Federatës së Xhudos së Kosovës, të pranuar tashmë në Federatën Ndërkombëtare të Xhudos me të drejta të plota, Majlinda Kelmendi arrin Normën Olimpike dhe bëhet kosovarja e parë e kualifikuar direkt në Lojërat Olimpike.
Majlinda Kelmendi deri më tani ka fituar 15 medalje të arta, 6 medalje të argjendta dhe 8 medalje të bronzta në garat ndërkombëtare, ku renditet si xhudistja e 5-të më e mirë në kategorinë nën 52kg.
Ky emision i pullave postare përbëhet prej dy pullave postare me pamje dhe vlera të ndryshme nominale 0.70 dhe 1 si dhe Zarfit të Ditës së Parë, ndërkohë që do të jetë në dispozicion për koleksionuesit dhe konsumatorët që nga 25.07.2012.