23 Dhjetor 2024

M1 Group dhe Axos GMBH ofron 277 milion euro për blerjen e PTK

Prishtinë, 12 prill - Komisioni Qeveritar për Privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës ka shpallur ofertën financiare të kompanisë M1 International/M1 Group dhe Axos GMBH” në konsorcium me “Najafi Companies” i kanë plotësuar të gjitha kriteret teknike dhe ligjore për shitjen e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. .

Pas hapjes së ofertave financiare, Komisoni ka konstatuar se “Axos GMBH” në konsorcium me “Najafi Companies” ka ofruar një çmim prej 277 milionë euro. Ndërsa International/M1 Group ka ofruar 150 milionë e 10 mijë euro, andaj Komisioni për hapjen e ofertave i ka propozuar Komisionit Qeveritar për privatizimin e PTK-së që oferta “Axos GMBH” të propozohet në Qeveri si ofertë më e lartë.

Ministri Beqaj hapjen e ofertave për privatizimin e PTK-së e ka quajtur një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Qeverinë e Republikës së Kosovës, për  qytetarët e Kosovës në realizimin e detyrave për të bërë reformën strukturale ekonomike, reformë kjo e cila siguron një të ardhme ekonomike të Kosovës, e cila do të jetë në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare.

“Kosova i ka përqafuar këto standarde si shtet për ekonomi të tregut, për ekonomi ku  sektori privat do të forcohet dhe gjeneron punësime, rritje ekonomike nga sektori privat dhe ku shteti do të ndalet nga aktivitetet ekonomike konfom vizionit për zhvillimin ekonomik të cilin para një vit e gjysmë Republika e Kosovës e ka aprovuar dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm është duke e implementuar në baza ditore”, tha Beqaj.

Ai tha se KQP në përbërje të MZHE-së, MTI-së, MMPS-së, MI-së dhe MF-së gjatë kësaj periudhe ka bërë një aktivitet të ngjeshur për të ardhur deri te kjo ditë, e cila është ditë e konfirmimit të rrugës ligjore e standardeve ndërkombëtare, ditë e konfirmimit, bashkëpunimit të jashtëzakonshëm me këshilltarët e transaksionit, këshilltarin strategjik dhe të gjitha institucionet që janë involvuar në këtë proces.

“Jemi këtu për të hapur ofertat financiare të dy kompanive, të cilat i përshëndes për besimin që kanë dhënë gjatë kësaj periudhe në Republikën e Kosovës, në ligjshmërinë e Kosovës dhe në të ardhmen që Kosova është duke krijuar, jo vetëm për qytetarët por edhe për kompanitë tjera dhe ky është një tregim që kur bota është në krizë ekonomike Kosovës po i kthehet besimi dhe kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne”, tha ministri Beqaj.

Kreu i KQP-së përsëriti se privatizimi i 75 % të aksioneve të PTK-së është duke u bërë me vendim të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i cili ka obliguar Qeverinë, respektivisht Komisionin ndërministror qe të përgatis bazën për privatizim dhe procedurat t’i kryej në harmoni me standardet më të larta ndërkombëtare në harmoni me bazën ligjore te Kosovës.

Sipas tij, KQP së bashku me Këshilltarët e transaksionit me Njësinë për Implementim por edhe në bashkëpunim të fuqishëm me shumë institucione ndërkombëtare siç janë Ambasada Gjermane, Amerikane dhe Britanike ka bërë  kujdesin maksimal që çdo vendim i KQP-së të jetë në harmoni me ligjet me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ministri Beqaj theksoi se procesi ka pasur një sistem të filtrimit të  çdo vendimi i cili merret nga ana e ministrave të kabinetit qeveritar. Këto vendime kanë kaluar nëpër  Grupin teknik, Njësinë Implementuese, Bordin e PTK-se, ART-në, pastaj Këshilltarët e transaksionit Lazard nga Franca dhe Raiffaizen Investment  nga Austria, të cilët kanë konfirmuar se çdo vendimi është ligjor në harmoni me ligjet e Kosovës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.   

“Për më tepër Qeveria e Kosovës ka angazhuar Këshilltarin strategjik, i cili ka qenë i thirrur për të dhënë mendimin për secilin vendim dhe rekomandim të cilin e ka dhënë Këshilltari i Transaksionit dhe para çdo vendimi të KQP-së ky mendim i këshilltarit të transaksionit është verifikuar nga këshilltari strategjik, Hunting & Wiliams nga SHBA”, tha kreu i KQP-së.

Duke u ndalë te mbrojtja e interesave të punëtorëve, Beqaj tha se KQP ku bënë pjesë edhe ministri i Punës, Nenad Rashiq gjatë tërë kohës është marrë me sigurimin e punëtorëve dhe ritheksoi se punëtorët janë të siguruar për një kontratë trevjeçare pavarësisht se a janë me afat të përkohshëm apo janë me kontrata më të gjata.

“Të gjitha kontratat me afat të përkohshëm do të zgjaten për tre vite, ndërsa të gjitha kontratat tjera me afat më të gjatë do të jenë të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me Ligjin e Punës i cili i siguron ata që nuk do të ketë largime grupore apo largime të ndryshme nga puna, por do të jetë konform një baze të tillë ligjore”, tha ministri.

Beqaj tha se janë munduar që përpos aspektit ekonomik, përveç respektimit të ligjit, përveç respektimit të transparencës së plotë, përveç procedurave të nivelit ndërkombëtar të japin edhe një argument para ekonomisë evropiane, para ekonomisë ndërkombëtare që Kosova është për t’u besuar, Kosova është shtet i cili premton në të ardhmen zhvillim ekonomik duke u bazuar në sektorin privat.

Krejt në fund, ministri Beqaj bëri të ditur se oferta më e lartë do ta dërgohet në Qeverinë e Republikës së Kosovës, e cila do të merr vendimin përfundimtar, ndërsa nënvizoi se çdo vendim që është marrë deri më tani është marrë në unanimitet të plotë nga të gjithë ministrat të cilët janë të përfaqësuar në këtë proces.

Nga ana tij, Christophe Gehin në emër të ekipit të këshilltarëve të transaksionit tha se kishin kënaqësinë të ndihmojnë Qeverinë e Kosovës që të përcaktojë ofertuesin për privatizimin e 75 % të aksioneve të PTK-së.

“Privatizimi i PTK-së ka tërhequr shumë investitorë ndërkombëtar dhe se procesi i transaksionit është kryer në mënyrë shumë transparente. Jemi shumë të kënaqur që kemi pranuar dy oferta nga dy investitorë me reputacion të lartë ndërkombëtar, AXOS Capital me bazë në Gjermani së bashku me Najafi Companies me mbështetje teknike nga British Telecom , që kanë një ekspertizë të madhe në fushën e telekomunikacionit dhe M1 International me bazë në Britani të Madhe të mbështetur financiarisht nga Deutche Bank”, tha Gehin, duke shtuar se të dy investitorët  janë të mbështetur me financim nga institucione ndërkombëtare financiare.

Gehin tha se si këshilltarë të transaksionit kanë ndihmuar në vlerësimin e pjesës teknike dhe mund të konfirmoj që të dy ofertat i përmbushin të gjitha kushtet.

Ndryshe, në garë për privatizimin e PTK-së morën pjesë Konsorciumi AXOS GMBH& Najafi Comapnies nga SHBA, i përkrahur teknikisht nga British Telecom dhe “M1 International Limited’ kompani me bazë në Britani.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)